Delijorgji: "Dënoni Kreshnik Spahiun"
TIRANË – Edhe pse në qeli, ku pas masës së sigurisë “burg pa afat” për ngjarjen e rëndë të 15 marsit të këtij viti, Mihal Delijorgji u ka dërguar një letër të hapur drejtuesve të shtetit, duke nisur nga presidenti Bamir Topi, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, kryeprokurorja Ina Rama dhe Avokati i Popullit Ermir Dobjani.
Pretendimet
Në këtë letër Delijorgji sulmon nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, duke e akuzuar se po shkel procedurat dhe se ka uzurpuar institucionin e KLD-së. Duke pretenduar se po shkelet pavarësia e Gjyqësorit, Mihal Delijorgji ka deklaruar se masat për gjyqtarët i merr KLD-ja dhe se ai nuk ka faj për ngjarjen e Gërdecit. Në vijim të kësaj deklarate, në letrën e tij Delijorgji ka kërkuar që gjykimi i çështjes së tij të bëhet vetëm nga Gjykata e Lartë, pasi, sipas tij, gjykatat e tjera janë të varura dhe cenojnë gjykimin e drejtë. Në lidhje me tragjedinë e Gërdecit Delijorgji ka thënë se është i pafajshëm, por, nga ana tjetër, e ka akuzuar median se ka mbajtur një qëndrim jo civil ndaj tij. Mihal Delijorgji vazhdon të deklarojë se nuk ka lidhje me politikanët dhe familjarët e tyre. Për gjyqtarët që falën Delijorgjin ka pasur dy ditë më parë edhe një përplasje deklaratash të ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu.
Letra
“Unë, Mihal Delijorgji, në cilësinë e personit nën hetim, ndodhur në gjendje arresti në burg, nëpërmjet kësaj letre të hapur dua t’ju bëj me dije juve dhe nëpërmjet jush gjithë opinionit, i detyruar nga një prononcim publik bërë në mediat elektronike dhe atyre të shkruara, nga ana e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, i cili deklaroi: Tre gjyqtarët që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit, shkelën rëndë ligjin, duke liruar Delijorgjin nga akuza dhe duke i dhuruar pafajësinë i hapën rrugë ngjarjes së Gërdecit duke nënshkruar kontratën me MEICON-n”. Sipas tij, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me deklaratën e mësipërme, më detyroi ndërmarrjen e përgatitjes dhe publikimit të kësaj letre të hapur. “Që nga dita e ndodhjes së fatkeqësisë së Gërdecit, për të cilën m’u desh mua dhe familjes time të përballoja një sulm dhe trysni të paparë nga ana e mediave, që rrallë mund të gjenden dhe vendosen paralelizma në të tilla raste krahasuar me çdo vend të botës. Megjithatë, unë në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk jam prononcuar kundër këtij sulmi jo pse nuk kam pasur çfarë të kundërshtoj lidhur me faktin që kjo media serviri ne opinion kajsinë time për këtë fatkeqësi, por e çmova pozicionimin tim duke dhënë mesazhin që drejtësia dhe vetëm drejtësia është ajo që do të vendosë të vërtetën dhe do të vërë përpara përgjegjësisë jo mua, që nuk kam pasur asnjë lidhje me fatkeqësinë, por fajtorët e vërtetë që shumë shpejt hetimi do t’i evidentojë”, - shkruan ndër të tjera në letër Mihal Delijorgji, një nga personat e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit.
Akuzat në letrën e Delijorgjit
1. Z. Kreshnik Spahiu ka dëmtuar me deklaratën e tij rëndë të drejtat dhe liritë e mia themelore të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta dhe ligjet.
2. Ai ka dëmtuar reputacionin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nëpërmjet tij veprimtarinë e Gjyqësorit shqiptar.
3. Me deklaratën e mësipërme zoti Kreshnik Spahiu ka gabuar rëndë e konkretisht:
a) Ai, nëpërmjet medieve, në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka deklaruar vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin, në një kohë kur atij ligji nuk jua ka dhënë një të drejtë të tillë. Këtë të drejtë ligji ia ka dhënë vetëm gjykatës më të lartë, e konkretisht në rastin konkret Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë.
b) Edhe sikur ligji t’ia kishte dhënë një të drejtë të tillë, zoti Spahiu ka harruar ose nuk e di që procesi i konstatimit, deklarimit dhe me pas të marrjes së masave disiplinore ndaj gjyqtarëve bëhet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe gjithnjë nëpërmjet procedurave rigoroze ligjore dhe në asnjë rast nëpërmjet mediave dhe nga një person i vetëm, qoftë ky edhe Presidenti i Republikës.
c) Edhe sikur të pranojmë faktin e ekzistencës së shkeljeve në procesin penal në fjale. Konstatimi dhe procedimi asnjëherë ligji nuk ja ka lejuar një personi të vetëm dhe zoti Spahiu e di shumë mirë përse është fiksuar juridikisht një ndalesë e tillë, duke ju dhënë kjo vetëm një organi kolegjial vendimmarrjeje, siç është Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kompetencë që zoti Spahiu e ka uzurpuar dhe shpërdoruar.
d) Konstatimi, deklarimi i një vendimi të padrejtë dhe zbatimi i procedurave disiplinore ndaj gjyqtareve ligji për KLD-në në asnjë rast nuk mund të realizohen dhe nuk mund të jenë pjesë e proklamimeve mediatike. Kështu, z. Spahiu ka shkelur rëndë atë qëllim të ligjit mbi ekskluzivitetin e Gjyqësorit në procesin e dhënies të drejtësisë si dhe solemniteti në procesin e deklarimit të padrejtë të një vendimi dhe procedimi i gjyqtarëve.
Dh) Deklarimi i zoti Kreshnik Spahiu në rastin konkret përcjell një mesazh tepër të rrezikshëm për pavarësinë e Gjyqësorit, i cili konsiston në faktin se deklarimi i një personi të pafajshëm konsiderohet si “herezi”. Zoti SPAHIU harron se misioni i gjykatës është të ndajë të drejtën nga e padrejta dhe ky proces vendimmarrjeje ka dy anë, deklarimin fajtor dhe deklarimin e pafajshëm të personave të akuzuar.
e) Zoti Spahiu me këtë deklaratë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo vetëm ka injoruar dhe uzurpuar kompetencat e KLD-së, por në të njëjtën kohë ai ka vënë këtë këshill përpara një procesi vendimmarrje të konsideruar përpara faktit të kryer.
4- Zoti Spahiu me këtë deklaratë ka deklaruar fajësinë time dhe të dy personave të tjerë të arrestuar lidhur me ngjarjen e Gërdecit dhe pas kësaj deklarate, të cilat ndodhin dhe kalojnë në heshtje vetëm në Shqipëri, nuk ka dhe do të ketë gjyqtarë që të gjykojnë çështjen tonë.
Box
Kërkesa e Alibeajt
Ministri Alibeaj ka kërkuar përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës së zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por anëtarët e KLD-së kanë arsyetuar se Kreshnik Spahiu, me verifikimin e punës së tre gjyqtarëve, nuk e ka shkelur detyrën. Po kështu ata kanë argumentuar se kërkesa e Alibeajt nuk qëndron për shkak dhe të mungesës së bazës ligjore mbi verifikimin e ushtrimit të detyrës nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve. Kështu, KLD-ja e ka cilësuar korrekte procedurën e ndjekur nga Spahiu për inspektimin e ushtruar nga gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji”.
Përplasja KLD - Ministri
Me nismën e Kreshnik Spahiut, Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kërkoi ministrit të Drejtësisë fillimin e një procedimi disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak, konkretisht, Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naun Pejo. Shkaku për inicimin e një procedimi sipas konkluzioneve të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë lidhet me vlerësimin që do t’u bëhen shkeljeve të konstatuara gjatë kontrollit nga ky Inspektorat në dosjen gjyqësore të të pandehurit Mihal Delijorgji. Nga inspektimi i kryer mbi këtë procedim penal, nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është konkluduar mbi shkelje të mundshme të ligjit procedural penal të kryer nga gjyqtarët e trupit gjykues, Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naun Pejo. Pikërisht ndërmarrja e nismës për kontrollin e tre gjyqtarëve është cilësuar tejkalim kompetencash nga ministri Alibeaj.
9 Korrik 2008