E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do i shkojmë deri në fund hetimit për Gërdecin dhe Durrës- Kukës

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shprehu të martën angazhimin e saj “për t'i shkuar deri në fund zbardhjes së ngjarjes së Gërdecit”.

Kryeprokurorja Rama raportoi sot në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit mbi punën e Prokurorisë për vitin 2007. Pas kësaj ajo iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës lidhur me hetimet për çështjen e Gërdecit dhe për financimet e rrugës Durrës-Kukës.

“Prokuroria shqiptare është e angazhuar për ta hetuar plotësisht çështjen e Gërdecit dhe për t'i shkuar asaj deri në fund”, - konfirmoi kryeprokurorja, duke nënvizuar se “nuk mund t’i bëjë prezente pengesat serioze nga asnjë institucion tjetër shtetëror në këtë hetim”.

Lidhur me ecurinë e hetimeve znj. Rama tha se “nuk më duket e përshtatshme të jap shpjegime për fazën ku ndodhen hetimet. Do të jetë një moment tjetër, kur veprimet e hetimit do të bëhen publike”. Ajo shprehu angazhimin maksimal për hetim të plotë dhe zbardhjen e së vërtetës për aksidentin e Gërdecit dhe për çështjen tjetër, atë të rrugës Durrës-Kukës.

Më 15 mars të këtij viti, në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, të Bashkisë së Vorës, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, si pasojë e të cilit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha në banesa dhe biznese. Ndërsa dosja për rrugën Durrës- Kukës lidhet me akuzat e opozitës ndaj ish-ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulëzim Basha, për të cilin Kuvendi votoi dhe heqjen e imunitetit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›