E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji e Minxolli, me celularë në qeli

Zbulohen në paraburgimin 313 pas një “krehje”. Gardianët sekuestrojnë 6 aparate

Zbulohen celularë në qelitë e Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit, dy prej të akuzuarve kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Burime pranë Burgut 313 në Tiranë deklaruan se janë sekuestruar gjashtë aparate celularë, që posedoheshin nga persona që ende nuk kanë marrë dënimin përfundimtar. Sipas të dhënave nga burgu, dy prej celularëve iu gjendën pronarit të kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgjit, i cili mbahet në paraburgim pas tragjedisë së Gërdecit. Ai po gjykohet në Gjykatën e Tiranës dhe procesi është në fazën e dëshmive. Ndërkohë, burimet nga burgu 313 thanë se një celular i është gjetur edhe kunatit të Delijorgjit, Dritan Minxollit, ish-drejtori i kompanisë “Albademil”, që demontonte municione në Gërdec, nga ku ndodhi edhe shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Burimet shtuan se një celular i është gjetur edhe një 39-vjeçari me inicialet F.D., i akuzuar për trafik heroine, si edhe dy minorenëve. Burgu 313 deklaroi se pas “krehjes” së të gjitha qelive për të bllokuar sende të ndaluara është shpallur edhe një urdhër, ku në rast se pas pastrimit të qelive gjenden sende të tilla, atëherë do të procedohen për shpërdorim detyre deri në shkarkim detyre policët e sektorëve përkatës në paraburgim. Kontrollet e rrepta në qelitë e 313-s kanë nisur pasi ditë më parë, në murin rrethues të burgut me Gjykatën e Tiranës ishte hedhur nga ambientet e jashtme një pako me hashash, e cila është zbuluar në telat e jashtëm të burgut nga një polic i regjimit të jashtëm. Në paraburgimin 313 ndodhen të gjithë personat që nuk kanë marrë dënimin në formë të prerë. Atje ndodhen krerët e disa bandave që janë në proces gjykimi te Krimet e Rënda, si Aldo Bare, Lulzim Berisha, Indrit Dokle e të pandehur të tjerë që akuzohen për masakrat e Cërrikut e Qafë-Gjashtës. Krahas tyre, në Burgun 313 ndodhen edhe katër të arrestuarit e vetëm të tragjedisë së Gërdecit. Disa javë më parë, në hyrje të burgut është sekuestruar një frigorifer, brenda të cilit janë gjetur dhjetëra celularë. Një e afërme e të burgosurit është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se në institucionet e vuajtjes së dënimit ka edhe “pazar” për sende të ndaluara.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›