E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohet një tjetër fabrikë demilitarizimi

Në Durrës prokuroria ka nisur te hulumtoje per nje tjeter fabrike çarmatimi me te cilen MEICO ka pasur kontrate bashkepunimi

DURRËS - Fabrika e çmontimit të Gërdecit nuk ka qenë e vetmja nën administrimin e “Meico”-s. Një tjetër pikë çmontimi është bërë pjesë e hetimeve, por këtë herë nga Prokuroria e Durrësit. Kjo e fundit ka nisur hetimet për një qendër çmontimi municionesh e cila ishte e lokalizuar në Romanat të Durrësit, edhe kjo nën administrimin e “Meico”-s. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se procesi hetimor i prokurorisë së qytetit bregdetar do t’u bashkëngjitet hetimeve të Gërdecit, të cilat po bëhen nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë që burime zyrtare pranë Policisë së Durrësit bëjnë të ditur, se pika ushtarake e Romanatit do të hetohet nga tre përfaqësues të organit të akuzës. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se shkas për zgjerimin e hetimit janë bërë të dhënat që ka arritur të sigurojë grupi hetimor në Tiranë, sipas të cilit rezulton se kjo pikë (dikur repart ushtarak artilerie) bënte pjesë në inventarin e “Meico”-s dhe përdorej për demontim municionesh dhe prerje armatimi për skrap, si dhe për grumbullimin e lëndëve plasëse xheniere. Deri disa muaj më parë, në këtë repart realizoheshin të gjithë proceset e çmontimit, e prej andej tregtoheshin në rrugë detare apo ajrore në shtete të ndryshme të botës. Burimet konfirmojnë se ka akoma municione dhe lëndë plasëse në sasi të mëdha në depot e këtij municioni. Ndërkohë që sipas banorëve të zonës, theksohet se deri ditën që ndodhi ngjarja e Gërdecit reparti ishte në dorë të subjekteve private civile, por vetëm 2-3 ditë pas ngjarjes së Gërdecit reparti është marrë në ruajtje nga ana e Forcave të Ushtrisë, ndërsa mbahet i rrethuar nga roje të armatosura. Objekt i punës së grupit hetimor ngritur nga Prokuroria e Durrësit do të jetë kontrolli dhe bërja transparente e të gjithë aktivitetit të zhvilluar në Romanat. Prokurorët do të kërkojnë të zbardhin se cili ka qenë subjekti privat që ka kryer blerjen dhe shitjen e skrapit, si dhe rolin e “Meico”-s në këtë mes. Ndërkohë që banorët tregojnë se nga ky repart kanë dalë kamionë të tonazhit të rëndë me targa civile, të ngarkuar me material ushtarak, gjë që përbën një tjetër objekt hetimi për organin e akuzës. Ndërkaq, Prokuroria e Durrësit ka ngritur nga ana e saj edhe një grup tjetër hetimor, i cili ka marrë përsipër të hetojë sesi zbatohen rregullat e sigurimit teknik në zonën e tankerëve të karburantit në portin detar të Durrësit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›