E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji thyen heshtjen, s´kam bërë vrasje në Gërdec bëra biznes, Henri lidhi kontratat

21/06/2011  Pas tre vjetësh biznesmeni tregon misterin e Gërdecit e marrëveshjen tregtare me Henrin

Tre vjet pas tragjedisë së Gërdecit, administratori i kompanisë “Alba-demil”, Mihal Delijorgji, ka thyer heshtjen duke u paraqitur në gjykatën e Tiranës, ku ka treguar të gjitha pretendimet e tij lidhur me shpërthimin e fuqishëm të 15 marsit ku u vranë 26 persona. Dëshminë e tij para gjykatës ai e ka nisur me fjalët se nuk kishte vrarë njeri dhe se prezenca në Gërdec ishte për çështje biznesi dhe jo për t’i bërë keq njeriu. “Unë jam kontraktuar nga amerikani Patrik Henri, me të cilin kemi ngritur një kompani, e cila do merrej me ndërtimin e fabrikës së demontimit. Unë isha personi që do të financoja projektin, ndërsa Patrik Henri do të merrej me anën teknike. Nga bisedat që kam zhvilluar me Henrin kisha krijuar bindjen se kishte licencë për demontimin e municioneve, ndërsa për sa i përket fitimeve unë do kisha 67 për qind, ndërsa amerikani 33 për qind, për shkak se projekti i financuar nga unë”,-tregoi para gjykatës i pandehuri kryesor i kësaj çështje Mihal Delijorgji. Më tej biznesmeni ka sqaruar se gjatë punës në Gërdec nuk ka bërë asnjë përpjekje për të lidhur kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes apo MEICO-n, për shkak se me këto punë merrej privatisht dhe zyrtarisht amerikani Patrik Henry. Amerikani sipas të pandehurit i kishte thënë se përpjekjet e tij për të fituar të drejtën e demontimit të municioneve në Shqipëri kishin më shumë se 18 muaj që kishin nisur nga koha kur edhe Delijorgji është takuar për herë të parë me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›