E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po shiten pronat e çamëve për të shlyer borxhet që Greqia i ka Evropës

21/06/2011  Idrizi akuzon shtetin grek

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha dje se Greqia po tenton të shesë pronat e çamëve për të larë borxhet dhe për t’i shpëtuar krizës. Këto deklarata Idrizi i bëri gjatë hapjes së “Javës Çame”, e cila zhvillohet në përkujtim të gjenocidit grek ndaj kësaj popullsie. “Ne po studiojmë dhe rastin e shitjes së pasurive greke në zonat kufitare si pasojë e krizës ekonomike që po kalon vendi fqinj. Ju i keni dëgjuar lajmet se Greqia po lejon shitjen e këtyre pasurive të vendosura në të ashtuquajturat ‘zona kufitare’, përfshi Selanikun. Ne kemi dyshime të forta se këto prona janë prona shtetërore, që shteti grek ua ka dhënë në përdorim privatëve, prona që dikur u takonin jo grekëve. Këto prona me shumë gjasa janë prona të shqiptarëve të përzënë me forcë apo të spastruar etnikisht në fund të Luftës së Dytë Botërore, sepse nuk dimë që shteti grek të ketë prona të tjera në këto zona. Ne nuk dimë prona të tjera që të mund të jenë të bllokuara që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse është e vërtetë kjo, atëherë ne do të protestojmë fuqimisht në të gjitha instancat ndërkombëtare. Ne nuk do të lejojmë që të shiten pasuritë tona”, - tha Idrizi. Sipas tij, për këto çështje po punohet dhe me një studio avokatie britanike, e cila shumë shpejt do të ofrojë dhe përgjigje si dhe zgjidhje për institucionet “Ne po punojmë me një studio britanike, e cila po e studion problemin dhe shumë shpejt do të ofrojë zgjidhjen në detaje nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare. Çdo angazhim i brendshëm duhet të koordinohet me angazhimet e jashtme, sepse, siç ju thashë, kjo çështje nuk është çështje lokale, por është nga çështjet më të rënda ndërkombëtare të trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore. Ne po punojmë për të sensibilizuar SHBA-të, Parlamentin Evropian, duke lobuar atje për të shkuar te një rezolutë e tyre në lidhje me këtë çështje. Këtij qëllimi i shërbeu një udhëtim yni në SHBA dhe shumë shpejt ne do të udhëtojmë përsëri për të shikuar frytet e asaj që mbollëm në vizitën e parë. Ne po ndjekim modelet e atyre komuniteteve që kanë pësuar gjenocid në luftërat botërore. Ne po ndërlidhemi me të gjitha ato komunitete që janë spastruar etnikisht nga Greqia në Luftën e Dytë Botërore, siç janë hebrenjtë, siç janë maqedonasit”, - tha Idrizi, duke shtuar se këtij qëllimi do t’i shërbejë dhe miratimi i një rezolute të posaçme në parlamentin Shqiptar në lidhje me këtë çështje, e cila duhet theksuar se është mjaft delikate për sa u përket marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›