E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, tri inspektime për vizat

Hapat e stadit të fundit në lidhje me liberalizimin e vizave lidhen ngushtë me tri grupe të rëndësishme të Komisionit Europian që do të vijnë në Tiranë në fund të këtij viti dhe fillim të vitit të ardhshëm për të parë nga afër zbatimin e udhërrëfyesit nga ana e qeverisë shqiptare. Grupet i parë i ekspertëve do të inspektojë sigurinë e kufijve të vendit dhe zbatimin e standardeve të kërkuara për regjistrimin e të gjithë njerëzve dhe automjeteve që kalojnë në të gjitha pikat doganore të Republikës. Grupi i dytë që do të vijë sërish në fund të këtij viti do të shikojë zbatimin e kushteve ekonomike, ku hyjnë ligjet fiskale dhe zbatimi i tyre në praktikë. Ndërsa në fillimin e vitit të ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë një delegacion i Komisionit Europian për të shqyrtojë zbatimin e kritereve politike, ku thelbësore do të jetë nisja e dialogut politik. Pas mbylljes së këtyre inspektimeve hartohet një raport i përbashkët që i dërgohet ekzekutivit të BE-së. Komisioni Europian do të vendosë në pranverën e vitit 2010 nëse Shqipëria ka zbatuar të gjitha kushtet e përcaktuara dhe më pas do të përgatisë një këshillim që duhet të vendoset përfundimisht nga Këshilli i Ministrave. Dje në Bruksel ka nisur një takim dyditor i Komisionit me Ballkanin Perëndimor që si objektiv do të diskutojë zbatimin e kushteve të "Aquis-Komunitere", siç quhen obligimet e vëna në lidhje me pavarësinë e drejtësisë dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Konkluzionet e takimit do të bëhen sot në mesditë pas përfundimit të forumit. Një fokus i rëndësishëm do të jetë për bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit me Europol, Eurojust dhe Frontex, që përbëjnë agjencitë e njohura europiane të policisë, drejtësisë dhe luftës ndaj pastrimit të parave. Aktiviteti do të ketë katër seksione: I pari do të ketë fjalimet përkatëse, i dyti do të trajtojë çështjet e drejtësisë, i treti sërish drejtësinë dhe punët e brendshme, kurse i katërti vetëm çështjet e kufirit dhe luftës ndaj krimit. Takimi dyditor është kryesuar nga ministrja e Drejtësisë së Suedisë, Beatrice Ask. Në këtë takim merr pjesë edhe zv/presidenti i Komisionit Europian, Zhak Barro, dhe ministra nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova. Objektivat kryesore të takimit, që mbahet çdo vit, janë diskutimi i gjendjes së përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për të aplikuar sipas kushteve të Bashkimit Europian, në veçanti në lidhje me luftën ndaj krimit e korrupsionit, por edhe pavarësinë e gjyqësorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›