Dell: Krasniqi po sfidon komunitetin ndërkombëtar

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell reagoi ashpër ndaj refuzimit të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi për të kërkuar heqjen e imunitetit të disa deputetëve që janë nën hetime.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Dell tha se me këtë qëndrim, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij”.
Ai tha se përderisa, Krasniqi “nuk dëshmon ndjenjë më të lartë të përgjegjësisë për të zgjidhur shumë probleme që ka pasur deri tani, do të jetë e pamundur për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojnë të punojnë me të si partner”.
Një ditë më parë, kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, paraqiti para anëtarëve të Kryesisë përgjigjen që i ka kthyer shefit të EULEX-it, Ksavier Bu dë Marnjak, i cili kërkonte heqjen e imunitetit të deputetëve nën hetime.
Krasniqi shkruan në letrën drejtuar shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Parlamenti të merret me çështjen e imunitetit dhe se në bazë të Kushtetutës, qeveria mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetëve