Kosovë, të enjten seancë e jashtëzakonshme për bisedimet
Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar kërkesën e deputetëve të opozitës për një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet për konkluzionet që janë arritur ndërmjet e Kosovës e Serbisë, ndërsa është raportuar se seanca do të mbahet të enjten.
Ismet Beqiri, shef i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kjo parti e sheh të dëmshme marrëveshjen e arritur dhe si të tillë e konsiderojnë të papranueshme. Ai tha se marrëveshja që është arritur mes palëve e cënon sovranitetin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Beqiri ka qenë i vetmi që ka folur pas mbledhjes së Kryesisë, ndërkohë të tjerët përfshirë edhe kryetarin Jakup Krasniqi i janë shmangur mediave.
Delegacionet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas disa raundeve kanë rënë dakort që më 2 korrik që të kenë një marrëveshje të pa nënshkruar, por që është nxjerrë si konkluzion i ndërmjetësuesit në këto bisedime, Bashkimi Europian, në tre fusha: atë të lëvizjes së lirë, të regjistrave civilë dhe diplomave.
Këto konkluzione janë përshëndetur nga qeveria, por jo edhe nga opozita. Për çështjen e bisediemeve, zëvendësi i ish presidentit finlandez, Marti Ahtisari, në zyrën e cila ndërmjetësonte negociatat për statusin, Albert Rohan, tha se është i kënaqur me dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë.
Rohan në një intervistë për gazetën Zëri shpreh bindjen që Serbia po tregon shenjat e njohjes së shtetësisë së Kosovës, derisa ka pranuar këtë dialog me përfaqësuesit e shtetit kosovar.