Dell: Qeveri me njerëz të besueshëm
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell, ka përmendur edhe një kriter, për ata të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Përpos njerëzve me duar të pastra, Dell ka thënë se krejt zyrtarët e ekzekutivit të ardhshëm duhet të kenë edhe besimin e qytetarëve.
“Atje (në Kosovë) ka nevojë jo vetëm për një qeveri me “duar të pastra”, por edhe me njerëz në të cilët populli ka besim. Mendoj se vetëm atëherë Qeverisë mund t’i kthehet kredibiliteti, që i është dëmtuar dukshëm nga ngjarjet e muajve të fundit”, ka thënë Dell në një intervistë për TV 21 në New York.
“Stabiliteti nuk garantohet me numra. A do të ketë një koalicion me 61, 65 apo 81 anëtarë të Parlamentit, nuk ka shumë rëndësi. Por, Qeveria duhet të jetë e suksesshme dhe e gatshme të ballafaqohet me sfida”, ka porositur Dell.
Ai ka thënë se koalicioni i ardhshëm do të varet nga bisedimet ndërmjet partive, duke sugjeruar që partitë duhet të kenë një agjendë të përbashkët për rritjen ekonomike, sundimin e ligjit dhe qeverisje me “duar të pastra”.
“Çdo parti që pajtohet me këto kushte mendoj se e ka të drejtë të jetë në Qeveri. Parlamenti ka nevojë edhe për një opozitë të fortë”, ka theksuar Dell.