Gjykata Supreme refuzon tri ankesa

Nga gjashtë ankesat e kandidatëve të partive politike drejtuar Gjykatës Supreme, tri janë hedhur poshtë të shtunën. Kjo është bërë e ditur nga Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili ka thënë se deri të hënën përfundojnë edhe ankesat e tjera.
“Janë refuzuar tri ankesat dhe janë vërtetuar vendimet e PZAP’it. Të njëjtat vendime u janë dërguar palëve. Ankesat e tjera do të përfundojnë deri të hënën që është afati i fundit ligjor”, ka thënë Hasani për Express.
PZAP’i tri ditë më herët ka hedhur poshtë si të pabazuara 22 ankesat e partive dhe kandidatëve, që janë bërë pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor.
Gjashtë prej tyre nuk janë pajtuar me vendimet e PZAP’it dhe i janë drejtuar Gjykatës Supreme. Pas përfundimit të ankesave në Supreme, do të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit të vitit 2010.