E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell: Situata në veri do të zgjidhet vetvetiu

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, ka thënë se shumica e institucioneve të Kosovës duhet të forcohen në të ardhmen duke qenë se Kosova është një shtet i ri dhe ky është një proces normal.
"Kur flas për forcimin e institucioneve nuk mendoj vetëm në qeverinë. Ka hapësirë këtu për forcim të shoqërisë civile, forcim të rolit të partive politike, të cilat në fund të fundit garojnë mes vete për të marrë pushtetin dhe janë pjesë e procesit. Mediat janë zhvilluar shumë në 10 vitet e fundit, por ka hapësirë për forcim të mëtejmë. Në mënyrë të veçantë, rendi dhe ligji është aspekti që kërkon më shumë përpjekje nga të gjithë ne, nga Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar për t'i kënaqur kërkesat në rritje të qytetarëve për drejtësi", ka thënë Dell.
Ambasadori i SHBA-ve është shprehur se kjo është një sfidë e madhe, mirëpo ai beson se "Kosova ka kapacitet të bëjë progres në të gjitha këto fusha".
Ndërsa sa i përket problemit të veriut, Dell ka thënë se situata gradualisht do të zgjidhet vetvetiu, "përderisa autoriteti i institucioneve të Qeverisë së Kosovës po shtrihet atje në mënyrë paralele me zbehjen e strukturave paralele".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›