E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell: Të gjitha partitë të përfshira në korrupsion

Ambasadori Dell

PRISHTINE- Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare, ka thënë ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, dhe ka shtuar se partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci janë pasqyrim i vet shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme.

Këto komente ai i bëri në intervistën për të përditshmen prishtinase, “Kosova Sot”. Sipas tij,  ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit.

Fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit, tha Dell.

Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme, që duhet të ndryshojë në Kosovë është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin.

Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për tu marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci, tha Kristofer Dell për të përditshmen Kosova Sot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›