E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell: Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, jo legjitime

PRISHTINE – “Zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës janë jo legjitime, ndërsa ato parlamentare dhe presidenciale paraqesin një shembull të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve.” Deklarata vjen nga Ambasadori Amerikan në Kosovë Christopher Dell, i cili ka përshëndtur ndërkaq edhe rolin lehtësues të OSBE-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në territorin e Kosovës.

“Është herët të thuhet nëse zgjedhjet do të përmirësojnë raportet, por ky është një shembull i mirë, se si dy shtete fqinje mund të punojnë së bashku, që të sigurojnë se po respektohen standardet evropiane”, u shpreh Ambasadori Amerikan, gjatë një konference për mediat në Graçanicë.

Duke folur për paralajmërimin e disa serbëve lokalë të pjesës veriore të Kosovës se më 6 maj, karshi zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, të mbahen edhe zgjedhjet lokale, Dell foli për mungesën e ndikimit të kësaj nisme.

Ambasadori Dell ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që e diela të kalojë qetësisht si një ditë që, siç tha ai, forcon tolerancën e ndërsjellë dhe parimet demokratike.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›