Dell përjashton opsionin e ndarjes dhe modelin e Qipros për Kosovën
Ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell, ka akuzuar Beogradin zyrtar se me veprimet e tyre nuk po lejojnë që popullata në veri të ketë qasje në drejtësi. Diplomati amerikan i ka bërë këto komente në një bisedë me Radio Kontakt Plusin, në veri të Mitrovicës, por ka thënë se po bëhet presion mbi Beogradin dhe shpreson që së shpejti do hapen gjykatat në veri. Ai ka përjashtuar opsionin e ndarjes si dhe modelin e Qipros për Kosovë. "çështja e statusit dhe sovranitetit është një gjë, por në qoftë se për këto gjëra nuk u lejohet qytetarëve qasje në drejtësi dhe nga çështjet më të zakonshme vjen deri te çështja e sovranitetit, mendoj se është koha të thuhet mjaft”, është cituar të ketë thënë Dell. Ai ka thënë se do të ketë presion mbi Beogradin që në pjesën veriore të Mitrovicës gjykata të punojë me kapacitet të plotë. "Ne kemi dhe vazhdojmë të kemi dialog me qeveritarët në Beograd, që të tejkalohet problemi i Gjykatës në Mitrovicë dhe që çështja të shikohet si praktike”, ka thënë Dell. Në gjykatën e qarkut në veri të Mitrovicës aktualisht punojnë vetëm gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it të gjyqësorit, ndërsa ishte paralajmëruar se gjatë muajit të ardhshëm do të fillojnë të punojnë edhe nga dy gjykatës, serb dhe shqiptar. Në anë tjetër, ditë më parë Oliver Ivanoviçi, sekretari i Shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka kërcënuar me destabilizim të situatës në Mitrovicë nëse ndodh kthimi i një nga dy gjykatësve, shqiptar dhe serb, në objektin e gjykatës së qarkut në veri, siç ishte paralajmëruar. Diplomati amerikan, Dell, ka thënë se Beogradit zyrtar, shumë kryeqytete të BE-së, në mënyrë të qartë i kanë bërë të ditur se BE-ja nuk do e pranojë Qipron si një model për Kosovën dhe se në mars kjo i është bërë e ditur edhe gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kouchner, në Serbi. "Nuk do të mbështetet asnjë ndarje apo modelet të cilat ndikojnë në integritetin dhe sovranitetin e Kosovës", ka thënë diplomati amerikan.
#