E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell përkrah vendosjen e policëve dhe doganierëve në veri

Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 16:14

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kthimin e policëve dhe doganierëve në veri të Kosovës më 16 shtator, ka gjetur përkrahjen edhe të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell. Ai ka thënë të hënën se Qeveria e Kosovës i ka të drejtat e saj që ta zbatojë marrëveshjen e arritur më 2 shtator.

Dell i ka dhënë mbështetje të plotë Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin për kthimin e policëve dhe doganierëve në veri.

“Natyrisht, kjo ka qenë një e arritur në mes të Qeverisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it dhe Qeveria e Kosovës i ka të gjitha të drejtat e veta të autorizuara dhe legjitime që të zbatojë këtë marrëveshje të arritur më 2 shtator dhe tani presim që të bëhet edhe zbatimi i saj dhe ne e përkrahim atë”, ka thënë ambasadori Dell.

Është raportuar se Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare në vend janë pajtuar në parim për rikthimin e kontrollit doganor dhe policor në veri, kurse marrëveshja pritet të zbatohet nga 16 shtatori.

Komandën doganore dhe policore do ta kenë autoritetet e Kosovës, përderisa pjesa operative do të bie mbi EULEX-in, kurse KFOR-i, do t’i kontrollojë rrugët alternative që lidhin dy vendet.

Siç është raportuar, plani është hartuar nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe ai është pranuar në parim nga përfaqësues të EULEX-it, KFOR-it, Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ndërkohë, është pikërisht ndërhyrja dhe zmbrapsja e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit një prej arsyeve që Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur të hënën kur kërkoi dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës dhe shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve të parakohshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si partia e tretë opozitare, konsideron se është ajo që e ka kërkuar një gjë të tillë kohë më parë, përderisa tani nuk shprehet në mënyrë konkrete nëse do ta mbështes kërkesën e Vetëvendosjes.

“Ne e kemi përmendur këtë temë shumë më herët, sepse kemi menduar që ka dështime të mëdha në Qeverinë e Kosovës. Qëndrimet tona i kemi pasur të qarta shumë më herët dhe natyrisht do t’i diskutojmë prapë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala.

Ndryshe, drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë konsideruar si një nga dështimet më të mëdha të Qeverisë së Kosovës, ndërhyrjen dhe zmbrapsjen në veri të vendit, duke thënë se me këtë u është dhënë një mesazh i qartë strukturave paralele serbe se kjo qeveri nuk është në gjendje t’u kundërvihet, edhe kur rrezikohet jeta e policëve dhe qytetarëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›