Rifillojnë punimet në Sllatinë dhe në magjistralen për Mitrovicë

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota ka premtuar se punimet që janë duke u kryer në rrethrrotullimin në Sllatinë për në drejtim të Aeroportit dhe rruga në drejtim të Mitrovicës, do të përfundojnë shumë shpejt, pasi që tashmë Ministria e Financave ka bërë vlerësimin e pronave dhe pritet të bëhet edhe shpronësimi.
Mujota së bashku me kabinetin e tij, të hënën ka inspektuar punimet tek rrethrrotullimi në Sllatinë që lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe rrugën në drejtim të Pejës.
Me këtë rast, ministri Mujota ka thënë se Ministria e Infrastrukturës ka bërë elaboratin e shpronësimeve, ndërsa Ministria e Financave vlerësimin dhe së shpejti do të përfundoj edhe problemi i çështjeve pronësore.
“Paralajmëroj se do të kemi punë intensive nga sot deri në përmbyllje të projektit nga drejtimi i Prishtinës deri Gjurgjicë dhe nga drejtimi i Prishtinës në drejtim të Mitrovicës deri në Milloshevë. Ministria e Infrastrukturës ka mbaruar obligimet e veta, ka bërë elaboratin e shpronësimeve. Ministria e Financave ka bërë vlerësimin e pronave, Qeveria ka marrë vendimin për shpronësimin përfundimtar, pronarët kanë marrë vendimet për shpronësimet përfundimtare dhe tani jemi të vendosur që të finalizojmë këto dy projekte shumë të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, ka thënë Mujota.
Ai ka shprehur bindjen se punimet do të ecin mbarë, ndërsa bashkëpunimi me pronarët do të jetë në nivel. Por në rast se ka ndonjë ankesë për shpronësime përkatësisht për vlerësimin e pronave, pronarët mund të i drejtohen organeve gjyqësore.
Po ashtu, Mujota ka theksuar se ministria dhe kompanitë janë të zotuara, që projekti të përfundoj në dinamikën e paraparë.
Ministri i Infrastrukturës ka vizituar edhe disa vend punime për rivendosjen e barrierave. Ai ka pas edhe një kërkesë për gjithë qytetarët dhe pronarët që kanë biznese për rreth rrugës që mos të largojnë apo dëmtojnë barrierat mbrojtëse.
“Me këtë rast e bëjë një thirrje për qytetarët, përkatësisht pronarët të cilët janë afër rrugës në këtë segment, e kam fjalën për dëmtimin mbrojtëse elastike që ndajnë rrugën apo barrierave elastike. E dini që është shfaqur një dukuri jo e mirë pas vendosjes së tyre kanë ndodhur në pjesë të caktuara largimi i tyre ose shkatërrimi i tyre. Tani ne do i vendosim edhe njëherë, e kem parasysh se çdo gjë tjetër që të shpëtohet një jetë njeriu”, ka theksuar Mujota.
Ndërsa për ata që dëmtojnë këto barriera është thënë se do të ndëshkohen përmes ligjit dhe policia të bëjë punën e vet, sipas autorizimeve që ka.
Ndërkaq duke folur për rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës, ai ka thënë se një pjesë është lëshuar ditë më parë dhe ka zbutur qarkullimin rrugor, por sipas tij nga sot kanë filluar punimet edhe në pjesën tjetër që dëshmon se ka zgjidhje të shpronësimit.