Delvinë, policia sekuestron 175 kg marijuanë
Policia në Delvinë ka sekuestruar një sasi prej 175 kg marijuanë dhe ka arrestuar një person, i cili transportonte lëndën narkotike. Në prangat e uniformave blu ra Artan Rrustemaj, 40 vjeç, i cili po lëvizte me një makinë tip “Mitsubishi” në drejtim të Sarandës. Sipas burimeve nga policia, 40-vjeçari u kap në aksin rrugor Muzinë–Delvinë, kur po kryente transportin e lëndës narkotike të llojit marijuanë me automjetin e tij me targa të Tiranës. Gjatë marrjes në pyetje, Rustemaj ka deklaruar se droga do të dërgohej në drejtim të Greqisë. Aksioni u ndërmor nga Drejtoria e Policisë në Vlorë. Droga merrej nga Lazarati dhe çohej në Delvinë dhe më pas, nëpërmjet Sarandës çohej në Greqi. Policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.