Abuzimi me lejet e ndërtimit, në gjyq kryekomunari i Novoselës
Kryekomunari i Novoselës është vënë nën hetim nga Prokuroria e Rrethit të Vlorës, për abuzim në dhënien e lejeve të ndërtimit, ndërkohë që dosja është dorëzuar në gjykatë për t’iu nënshtruar procesit gjyqësor. Dosja me numër 1022 është depozituar dje në Gjykatën e Vlorës, ndërkohë që i pandehuri Rait Llanaj akuzohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal. Bashkë të pandehur me kryekomunarin janë edhe shtetasit Eduart Beqiraj dhe Shuaip Troka, të akuzuar po për të njëjtat vepra penale. Sipas organit të akuzës së Vlorës, i pandehuri Rait Llanaj mban detyrën e kryetarit të Komunës Novoselë Vlorë dhe gjatë ushtrimit të detyrës ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Sipas akuzës, me vendim të të pandehurit Rait Llanaj, si kryetar komune është dhënë një leje për administrimin e shpërndarjes së dheut në një karriere. Ky vendim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi i vetmi autoritet i ngarkuar me ligj për ekzekutimin e ligjit, duke kontraktuar me subjekte të ndryshme për shfrytëzimin e karrierave të ndryshme, është ministri përkatës. Gjithashtu, kryetari i komunës, Llanaj, në bashkëpunim me KRRT-në e Komunës Novoselë ka miratuar dy leje ndërtimi për ndërtimin e dy objekteve në territorin e Komunës Novoselë, përkatësisht më datë 25.02.2008 dhe datë 28.08.2007. Nga hetimet ka rezultuar se të dy këto objekte janë ndërtuar mbi troje që ndodhen jashtë vijës së verdhë të Komunës Novoselë. I pandehuri, bën të ditur akuza, si kryetar i komunës nuk ka kërkuar miratimin e lejes së ndërtimit dhe të studimit urbanistik nga KRRT-ja e Qarkut të Vlorës për dy objektet, detyrim ligjor i parashikuar nga neni 6 i ligjit nr. 8991, datë 23.01.2003 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”. Nga hetimet ka rezultuar se një nga objektet është ndërtuar në një tokë, e cila sipas nenit 6 të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 nuk mund të tjetërsohej në truall. Sipas nenit 6 të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998: “Jashtë territoreve të urbanizuara lejohen të bëhen ndërtime vetëm në rastet kur ato përcaktohen në studimet rajonale dhe masterplanet e miratuara nga organi kompetent”. Sipas akuzës, këto hartohen duke përjashtuar për ndërtim tokat bujqësore të kategorisë së parë, të dytë, të tretë, e të katërt, të përcaktuara me raport teknik nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në rreth. Në rastin konkret, sipas prokurorit Ndini Tavani, objekti është ndërtuar në një tokë të kategorisë së 4-t, në kundërshtim me ligjin.