“Gambling 2”, 66 persona nën hetim për aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit
Policia e Shtetit ka nisur një procedim penal ndaj 66 personave, të cilët akuzohen për aktivitet të paligjshme të lojërave të fatit. Burime zyrtare pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se prej dy ditësh, efektivët e policisë në bashkëpunim me ata Të policisë Tatimore zhvilluan në shkallë vendi operacionin policor të koduar “Gambling 2”. Qëllimi i këtij operacioni të përbashkët ishte ndërprerja e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit, identifikimi dhe procedimi penalisht i personave që kryejnë këtë aktivitet, si dhe bllokimin e ambienteve dhe sekuestrimin e pajisjeve dhe makinerive të lojërave të fatit. Gjatë dy ditëve, nga kontrolli i ushtruar në të 12 qarqet e vendit në 260 subjekte, u bllokuan 65 prej tyre, pasi ishin pa licencë. Në mbështetje të këtij operacioni janë angazhuar edhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Gjithashtu, po sipas burimeve, subjekteve të palicencuara iu bllokuan ambientet ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm, si dhe iu sekuestruan në total 401 makineri kompjuterike për zhvillimin e lojërave të fatit. Nga 11 subjekte të kontrolluara në Tiranë, u bllokuan 3 subjekte dhe u morën nën hetim katër persona. Në Durrës u kryen kontrolle në 16 pika, ku u bllokuan 2 subjekte dhe u morën nën hetim dy persona. Në Elbasan u krye numri i më madh i kontrolleve, 57 subjekte, ku nisi procedimi penal ndaj 20 personave. Ndërsa në Gjirokastër e Kukës, pavarësisht operacionit të kryer në 15 pika, nuk u zbulua asnjë subjekt pa licencë. Kontrolle u bënë edhe në qarqet e Shkodrës, Dibrës, Beratit, Vlorës, Fierit e Lezhës. Sipas burimeve nga policia, operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim. Ndërkohë, 65 subjekte, të cilat pas kontrollit rezultuan të palicencuara nga organet përkatëse, u proceduan penalisht në organin e prokurorisë për kryerjen e veprës penale të “organizimit të lotarive të palejuara” dhe “vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”.