E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; E rrahin dhe hedhin në lumë me makinë një 25-vjeçar



Një 25-vjeçar ka rrezikuar jetën, pasi është rrahur dhe më pas hedhur së bashku me një makinë në lumin Erzen. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa policia e Durrësit ka ndaluar dy prej autorëve të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve nga policia, u ndaluan Bajram Vrioni, 41 vjeç dhe Gentian Vrioni, 30 vjeç, që të dy banues në Katundin e Ri në Durrës. Ndërsa është shpallur në kërkim 29-vjeçari Selim Lebe. Arrestimi i tyre u bë, pasi që të dy në bashkëpunim me Selim Leben, për motive të dobëta, nën kërcënimin e armëve kanë ndalur 25-vjeçarin H.C., i cili ishte duke udhëtuar me një automjet tip “Audi” pa targa dhe më pas e kanë futur në një bilardo pronë të tyre, duke e mbajtur për afro 10 minuta. Më pas nën kërcënimin e armëve dhe duke përdorur forcën ata kanë futur të riun në automjetin tip “Benz 270”, pronë e Gentian Virionit dhe më pas e kanë çuar atë në derdhjen e lumit Erzen duke e hedhur aty. Nga goditjet e marra, 25-vjeçari ka pësuar dëmtime të lehta në trup, ndërsa ka marrë ndihmën e parë në spital. Policia ka shpallur në kërkim Selim Leban, i cili ka qenë me precedentë penalë, pasi ka qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. Dy të arrestuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë së kryer në bashkëpunim”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›