Delvinë, tritol automjetit të biznesmenit
Dy shpërthime kanë tronditur të premten qytetin e Sarandës dhe Delvinës. Shpërthimi i parë ndodhi pranë stadiumit
SARANDË- Rikthehen shpërthimet në jug të vendit. Dy shpërthime tritoli kanë tronditur ditën e djeshme qytetet e Sarandës dhe Delvinës, fatmirësisht pa shkaktuar probleme të konsiderueshme apo të lënduar.
Mësohet se rasti i parë i shpërthimit është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së premtes në qytetin e Sarandës. Informacionet e marra nga policia lokale bëjnë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në afërsi të stadiumit, ende në proces rikonstruksioni, në periferi të qytetit, por pa shkaktuar dëme materiale. Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 09:00 të paradites, një tjetër shpërthim është regjistruar në qendër të qytetit të Delvinës.
Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Sarandës, thanë se në objektivin e lëndës plasëse në qytetin e Delvinës mësohet të ketë qenë automjeti i një biznesmeni, të quajtur Ermal Meleqi. "Lënda plasëse e vënë në automjetin e biznesmenit ka qenë e llojit tritol dhe plasja është realizuar rreth orës 09:00 të paradites së të premtes",- thanë burime zyrtare policore.
Mësohet se si rezultat i shpërthimit është nxjerrë jashtë përdorimit automjeti i tipit "Benz Mercedes" me targa të Delvinës, si dhe janë shkaktuar dëmtime edhe në banesat përreth vendit të ngjarjes. Policia është duke zbardhur ngjarjen dhe duke identifikuar autorin, ndërkohë që biznesmeni i dëmtuar nuk ka pohuar asnjë dyshim rreth autorëve të mundshëm të saj. Ndërkaq, policia është duke hetuar për të dyja ngjarjet, ndërsa ende nuk ka asnjë person të arrestuar apo të ndaluar si të dyshuar për këto raste.
Gjuetia e paligjshme, gjobiten dy italianë
LUSHNJË - Inspektorati i policisë pyjore në rrethin e Lushnjës ka nisur prej ditësh kontrollet për t'i vënë fre gjuetisë së paligjshme.
Kështu, në kuadër të këtij aksioni që konfirmohet se ka më shumë se 10 ditë që po zbatohet, janë ndaluar dy shtetas italianë, të cilët po gjuanin në kundërshtim me ligjet shqiptare. Burimet zyrtare të drejtorisë pyjore në rrethin e Lushnjës, por edhe ato në rrethin e Fierit, deklarojnë për gazetën "Shekulli" se prej afro dy javësh inspektorati i policisë pyjore ka nisur një kontroll të të gjithë fondit pyjor në territoret e të dy rretheve.
Gjithashtu, nën kontrollin e policisë pyjore janë edhe zonat bregdetare të rrethit të Fierit, si dhe Laguna e Karavastasë në Lushnjë. Megjithëse sezoni i gjuetisë është çelur që nga 1 tetori, jo të gjitha zonat janë lejuar për ushtrimin e gjuetisë.
Kontrolli i policisë pyjore ka nisur jo vetëm për vendet e palejuara për gjueti, por edhe për mjetet e përdorura gjatë ushtrimit të saj. Mësohet se në fshatin Sulzotaj, pranë Lagunës së Karavastasë janë ndaluar dy shtetas italianë, të cilët jo vetëm ishin duke gjuajtur në zonën e palejuar, por po përdornin armë të lejuara për vrasjen e shpendëve. Pas nisjes së procedimit penal të dy gjuetarëve italianë, mësohet se ata janë ndëshkuar edhe me një gjobë prej 30 mijë lekësh.
Ndërkohë që në rrethin e Fierit numri i të ndëshkuarve me gjobë dhe të ndjekur penalisht shkon në 4 të tillë. Kujtojmë se policia pyjore e Fierit tri javë më parë dërgoi për ndjekje penale në prokurori një person që kishte dëmtuar fondin pyjor duke prerë pemë.
Pranga të riut, shiste kokainë në Kuçovë
KUÇOVË - Dorian Xhafa ka udhëtuar si zakonisht nga Tirana për në vendlindjen e tij Kuçovë, por edhe vetë nuk e ka besuar kur është prangosur nga uniformat blu të Komisariatit të Policisë së Kuçovës. 25-vjeçari lindur në Perondi të Kuçovës dhe banues në kryeqytet, prej disa muajsh bënte rrugën Tiranë - Kuçovë, pa e ditur se ishte nën vëzhgimin e policisë, që kishte informacion të plotë për veprimtarinë e tij tregtare: shitjen e lëndëve narkotike.
Sipas burimeve zyrtare, qendra e aktivitetit të Xhafës ishte vendlindja e tij, fshati Perondi. I riu udhëtonte nga Tirana dhe stacionohej në Perondi tek lokali i një shtetasi, ku dhe shiste lëndën narkotike të llojit "kokainë".
Gjithmonë sipas variantit zyrtar të policisë, kjo tregti ka vijuar disa muaj me radhë. Por dje nga ana e bluve është ushtruar një kontroll i 25-vjeçarit, të cilit iu gjetën me vete 2,45 gramë lëndë narkotike e llojit "kokainë", të cilën ai po e shiste përpara një lokali.
Pas arrestimit të tij në Kuçovë, strukturat e policisë së Qarkut të Beratit kanë bashkëpunuar me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për të ushtruar kontroll në banesën e tij në Tiranë. Ai akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike
Aksioni i policisë, bllokohen 23 automjete
SARANDË- 23 automjete bllokuara në qytetin e Sarandës, pas një aksioni të bluve të qarkullimit. Prej dy ditësh sektori i qarkullimit rrugor në Sarandë, i mbështetur edhe nga forca të drejtorisë rajonale të Vlorës, ka ndërmarrë një operacion për kontrollin e dokumentacionit të automjeteve në qarkullim.
Burimet nga ky inspektorat kanë bërë të ditur se deri mesditën e së premtes ishin bllokuar në mjediset e komisariatit të policisë së Sarandës 23 automjete që rezultuan pa dokumentacionin përkatës apo me mangësi të theksuar, si dhe 15 motoçikleta, ndërsa nuk kanë munguar edhe dhjetëra masa administrative ndaj shkelësve të Kodit të Qarkullimit Rrugor. Mësohet se aksioni do të vijojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.