E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenari i vrasjes së 50-vjeçares, në "listë" edhe një tjetër person

VLORË/ Shezai Zhabaj ka rrëfyer se gjithçka e kishte bërë për nderin e mbesave të tij, teksa nuk ka shfaqur pendesë


VLORË - Jo vetëm që nuk ka shfaqur pendesë, por ka pranuar të shpjegojë vetë pse e ka vrarë ish-bashkëfshataren e tij.


Shezai Zhabaj, i cili ditën e martë vrau me kallashnikov Stoli Sherajn ka pohuar se e ka kryer gjithçka për nder, pasi viktima i kishte përdorur mbesat e tij. Betimin që kishte bërë dhe vendimin e marrë, ai e ka ripërsëritur edhe dje në sallën e gjyqit, ku do të jepej ndaj tij masa e sigurisë për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.


"Edhe po të ishte gjallë, sërish do ta kisha bërë", ka deklaruar ai në pritje të marrjes së vendimit, ndërkohë që gjatë shpjegimeve të tij ka këmbëngulur se gjithçka ka qenë zanafillë e një vetëgjyqësie, mbi një çështje që instancat shtetërore nuk e përfillën asnjëherë.


"Ka dy vjet që i jam drejtuar policisë, prokurorisë, SHIK-ut, por asnjëherë nuk kam marrë përgjigje. Kam bërë denoncimin në polici, ku kam çuar dhe mbesat aty, por më detyruan ta tërheq. Stoli Sheraj m'i përdorte mbesat më tepër se kamariere.


I shfrytëzonte për të ardhurat e veta dhe kjo më bënte të mos isha i qetë. Isha përpjekur shumë herë, por pa zgjidhje. Nuk mund ta duroja të më poshtëroheshin njerëzit e mi", tha Zhabaj në sallën e gjyqit. Burime nga policia bënë të ditur se ka qenë ai vetë që ka zbardhur skenarin e paramenduar. Në listë ka qenë fillimisht një tjetër person, ku më parë kanë punuar mbesat e autorit.


Ai ka shkuar të vrasë më parë personin (emri i të cilit nuk bëhet me dije) dhe duke mos e gjetur atë, i është drejtuar lokalit të Sherajt. Siç u ka pohuar bluve autori i krimit, pasi të realizonte skenarin e parapërgatitur, mendonte të vriste dhe veten, por nuk ka vepruar, pasi nuk kishte përmbushur qëllimin që i kishte vënë vetes.


Referuar rrëmbimit të personit, ku ai mori peng drejtuesin e automjetit, Zhabaj tha se nuk kishte asnjë qëllim ndaj tij, thjesht i kishte kërkuar transport, ndërkohë që arma që mbante me vete, ishte bërë frikësuese për tjetrin.


Ai ka mohuar gjithashtu edhe argumentet e përdorura nga pala mbrojtëse në lidhje me vetëdorëzimin e tij, duke thënë se nuk ishte dorëzuar aspak, thjesht i ishte larguar skenës së krimit. "Ndjej keqardhje vetëm për babanë e moshuar që është me një këmbë në varr dhe asnjë njeri tjetër", ka mbyllur ai fjalimin e tij, duke pranuar tërësisht krimin e kryer në kushtet e paramendimit.


Prokurori i çështjes, Skënder Dauti, ka deklaruar se autori i dyshuar duhet të lihet në burg, pasi ka kryer veprën penale të vrasjes me paramendim, ka rrëmbyer një person nën kërcënimin e armës dhe e ka vjedhur atë, ndërkohë që ka përfshirë në këto akuza edhe armëmbajtjen pa leje. Në kuadër të katër akuzave Dauti ka deklaruar se autori duhet gjykuar duke qenë në burg, dhe se arrestimi i tij ka qenë i ligjshëm.


Pas dëgjmit të akuzës e mbrojtjes, si dhe të dyshuarit, gjyqtari Hektor Sinani deklaroi se masa e sigurisë në ngarkim të Shezai Zhabajt ishte burg pa afat, duke vlerësuar si të ligjshëm arrestin e tij.


Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në lokalin që Stoli Sheraj kishte marrë me qira, në lagjen "28 Nëntori". Stoli Sheraj është goditur për vdekje me një armë kallashnikov. Autori ka pasur precedentë penalë jashtë shtetit, ndërkohë që ka shfaqur disa herë shenja të çekuilibrimit mendor.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›