Itali; Nuk paguan prostitutën, mbahet peng për 2 ditë nga tutorët
Një transportues automjetesh, 45 vjeç, është mbajtur peng për dy ditë nga dy shtetas shqiptarë, tutorë të një prostitute, pasi nuk i kishte paguar asaj paratë e “shërbimit” të ofruar. Ngjarja ka nisur të hënën e kaluar në mbrëmje, kur transportuesi i mjeteve zihet me gruan me të cilën bashkëjetonte dhe largohet nga shtëpia. Vendos të shkojë në Xhenova, ku hyn brenda një bari. Këtu njihet me një prostitutë italiane të quajtur Victoria. Pasi shkojnë bashkë në një dhomë, kryejnë aktin seksual, burri i lutet prostitutës të qëndrojë gjithë natë me të. Në mëngjes, prostituta Victoria i jep faturën, ku 45-vjeçarit i duhej të paguante 1 mijë euro. Burri nuk i ka paratë me vete dhe të dy shkojnë në një bankë, por llogaria e tij nuk e ka këtë shumë. Në këtë moment, Victoria telefonon tutorin e saj, Edmond Frangu, një shtetas shqiptar 29 vjeç. Kur mbërrin, shqiptari kërkon paratë dhe kur merr përgjigje negative nga 45-vjeçari, fillon ta rrahë me shpulla atë, derisa t’i jepte çelësat e makinës së tij, një “Lancia Delta”. Pasi hipin të gjithë në makinë, kthehen në Milano, ku kanë një apartament së bashku me një shqiptar tjetër, Dritan Krosi, 29 vjeç. Në këtë moment, dy shqiptarët i telefonojnë bashkëjetueses së italianit dhe i kërkojnë asaj 2 mijë euro, ndërkohë që gruaja i përgjigjet se nuk kishte asnjë mundësi për ta paguar këtë shumë. Por, ndërkohë që ul telefonin, telefonon menjëherë karabinierët, të cilët i vë në dijeni për ngjarjen. Ndërkohë që gruaja merrej me karabinierët, dy shqiptarët telefonojnë nënën e personit të marrë peng dhe i kërkojnë të njëjtën shumë. Gruaja pranon, por nuk mundet të bëjë transferimin përmes “Western Union”, ndaj dhe për një natë tjetër i duhet të qëndrojë në banesën e dy shqiptarëve dhe prostitutës. Ndërkohë, karabinierët kanë gjetur dy tutorët. Kur shqiptarët shkojnë për të tërhequr shumën, gjejnë aty policinë, e cila u ka vënë prangat nën akuzën e sekuestros së personit me qëllim shantazhin dhe marrjen e parave.