Dëshmia e nipit të Klod Saliut: Po na ndiqnin
AKSIDENTI/ Pas aksidentit ku humbi jetën një 19-vjeçar, policia ka vënë në pranga adoleshentin Enkeleid Saliu
DURRËS - Përfundon në pranga Enkeleid Saliu, nipi i Klodian Saliut, pas aksidentit të ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku mbeti i vdekur një 19-vjeçar dhe u plagosën shumë vetë, mes të cilëve edhe vetë 16-vjeçari. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se ndaj adoleshentit janë ngritur akuzat e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor", si dhe "drejtim i mjetit pa dëshmi aftësie".
I marrë në pyetje djaloshi ka dëshmuar se shkak për shpejtësinë jashtë normave ishte fakti që ata po ndiqeshin nga një automjet. Në aksidentin e ndodhur humbi jetën Jurgen Zani, banor i lagjes nr. 6 të Durrësit, i cili ishte edhe shok i adoleshentit. Në automjet bashkë me Enkeleidin ndodhej edhe gjyshi i i tij, 76-vjeçari Abedin Saliu, si dhe J.Saliu, 16 vjeç. Të dy ata u plagosën rëndë në aksident, teksa i moshuari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.
Dëshmia
Gjatë paradites së të premtes, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje 16-vjeçarin e arrestuar në prani të psikologes dhe të avokates mbrojtëse. Pas lejes së dhënë nga psikologia, rreth gjysmë ore adoleshenti iu është përgjigjur pyetjeve të ngritura. Lidhur me ecjen me shpejtësi mbi normat e lejuara, mësohet se 16-vjeçari është shprehur se është ndier i kërcënuar nga një automjet me ngjyrë të zezë, që i ka ndjekur për shumë kilometra e pozicionuar pas tyre.
Avokatja e Enkeleidit, Rezarta Lisha, është shprehur se i riu ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike për shkak se dy anëtarë të familjes Saliu janë vrarë. Vetë Klodian Saliu është ekzekutuar teksa ishte në udhëtim. Vrasja e të atit të Enkeleidit ka bërë që edhe 16-vjeçari të ketë frikë për jetën e vet që në dyshimin e parë që një makinë po i ndiqte.
Kjo ka bërë që në kohën që ai ishte në timon të shtojë shpejtësinë, duke humbur edhe kontrollin e automjetit dhe të përfundojë në krahun tjetër të rrugës, duke çuar edhe në vdekjen e një personi që ndodhej bashkë me të. Nga ana e bluve mësohet se është bërë kontrolli i automjetit nëse ka pasur ndonjë goditje nga pas, por makina ka rezultuar e paprekur.
Policia
Nga ana e policisë është bërë e ditur se 16-vjeçari Enkeleid Saliu është arrestuar pas marrjes së mjekimit në spital për shkak se ka drejtuar një automjet pa patentë, si dhe ka udhëtuar me shpejtësi jashtë normave të lejuara. Arrestimi i adoleshentit është bërë në orën 23:30 të së enjtes.
Aksidenti i shkaktuar për shkak të shpejtësisë ndodhi në segmentin rrugor Mbikalimi i Serave - Durrës, në rrugën e re për në Kënetë. Mësohet se automjeti ka kaluar mbi trafikndarësin duke u përplasur me një tjetër makinë e cila vinte përballë, e drejtuar nga 38-vjeçari Artan Ilmiu.
Si pasojë mbeti i vdekur 19-vjeçari Jurgen Zani, ndërsa u plagos Abedin Saliu dhe J.Saliu, edhe ai 16 vjeç, në automjetin e drejtuar nga adoleshenti dhe të cilët ndodhen në spital. Në automjetin tjetër u lënduan shtetasit Rexhep Veizi, Artan Ilmiu, Nevila Veizi, Nafie Veizi dhe e mitura P.Veizi, të gjithë banorë të Kavajës.
Historia
Frika e Enkeleid Saliut e ka zanafillën vite më parë, në kohën në të cilën xhaxhai i tij, Klodian Saliu, u ekzekutua në kohën që udhëtonte në rrugën Durrës-Tiranë. Ky i fundit ishte personi me të cilin Lulëzim Berisha krijoi bandën e famshme të Durrësit, por që në vitin 2003 u nda prej tij për shkak të konflikteve.
Një gjë e tillë bëri që dy vjet më pas Klodian Saliu të ekzekutohej pikërisht nga njerëzit e ish-shokut të tij. Vetëm dy vjet pas këtij ekzekutimi ishte "radha" e vëllait të Klodianit, Shkëlqimit, njëkohësisht babai i Enkeleidit. Edhe ai përfundoi i vrarë në një atentat mafioz pranë lokalit të tij.