Delvinë, zhvarroset gruaja e vrarë në vitin 1997
Eleni Koka do ti nënshtrohet edhe një herë ekspertizës mjeko- ligjore për të provuar fajësinë e dy të dyshuarve
GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka zhvarrosur kufomën e një gruaje të vrarë në vitin 1997 për të zbuluar provat e fundit të krimit për të cilin akuzohen dy persona. Ekspertiza mjeko-ligjore e kufomës së shtetases Eleni Koka do të jetë ajo që do të thotë fjalën e fundit në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe mbylljen e dosjes. Dy të akuzuarit për këtë ngjarje janë Bilal Mehmeti dhe Ilirjan Alinanaj.
Zhvarrimi
Dy ditë më parë, në qytetin e Delvinës, në prani të uniformave blu, përfaqësuesve të drejtësisë dhe ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë pas 11 vitesh zhvarrimi i kufomës së shtetases Eleni Koka, e vrarë në mars të vitit 1997. Megjithëse të dy autorët e ngjarjes janë tashmë pas hekurave dhe ekzistojnë shumë prova që i lidhin ata me ngjarjen, raporti mjeko-ligjor që pritet të dalë së shpejti do ta mbyllë përfundimisht këtë çështje. Më 20 maj të këtij viti nga policia e Gjirokastrës është bërë arrestimi i 31-vjeçarit Bilal Mehmeti, pasi rezulton të jetë autori i vrasjes. Zbulimi i vendndodhjes së tij dhe më tej prangosja janë bërë të mundur pas një pune të gjatë operative dhe informacioneve të mbledhura gjatë operacionit të koduar “Drejtësi e vonuar”. Mësohet se Mehmeti në momentin e kryerjes së krimit ka qenë së bashku me një tjetër shtetas, Ilirjan Alinanaj, i cili aktualisht, është duke vuajtur dënimin në burgun e Rrogozhinës, pasi është i dënuar me 11 vjet burg për veprën penale të vjedhjes me armë, në vitin 2004, në vendin e quajtur Bistricë - Sarandë. Tashmë ai do të përballet me akuzat e vrasjes me dashje dhe vjedhjes me armë.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur mesditën e 29 marsit të vitit 1997 në aksin rrugor kombëtar Gjirokastër- Sarandë, në vendin e quajtur Kthesat e Muzinës, rreth dy kilometra mbi fshatin Jorgucat. Shtetasit Bilal Mehmeti dhe Ilirjan Alinanaj, asokohe 20- vjeçarë, të dy banorë të qytetit të Delvinës i kanë dalë përpara të armatosur shtetasit Stefan Koka nga Delvina, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe tre të afërm nga Kakavija në drejtim të Delvinës me automjetin e tij tip Mercedes Benz me targa “DL 08 93 A”. Mësohet se nën kërcënimin e armëve i kanë kërkuar çelësat e makinës, por në moment bashkëshortja e tij, Eleni Koka i ka marrë çelësat e makinës duke bërë rezistencë për të mos ua dhënë. Shtetasi Bilal Mehmeti e ka qëlluar me pistoletë në kokë dhe si pasojë e plagës së marrë, 35-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se zbulimi i ngjarjeve të vjetra është ndër prioritetet e punës së këtij institucioni. Ndërsa janë zbardhur tri ngjarje të vjetra, dy prej të cilave të ndodhura në vitin 1997 e një në vitin 1999 dhe në pranga si autorë të tyre kanë përfunduar tri persona, po punohet edhe për zbardhjen e dosjeve të tjera të bujshme.