Fier, burg pa afat për vrasësin e 22- vjeçarit
Dhamo ka pranuar krimin duke pohuar se sherri ka nisur pas dashurisë së mohuar që ai kishte me motrën e viktimës
FIER- Arben Dhamo, i akuzuari për vrasjen e një 22- vjeçari dhe plagosjen e rëndë të vëllait të tij do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimeve të prokurorisë. Ky është vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Fierit në lidhej me të arrestuarin për ngjarjen e tre ditëve më parë ku ka mbetur i vrarë Florgert Toska dhe është plagosur vëllai i tij, Xhulio, respektivisht 22 dhe 17 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pishporo kur Arben Dhamo, në grindje e sipër ka goditur me mjete të forta Florgert Toskën. Ai e ka shtrirë atë përdhe duke e goditur me çfarë ka mundur duke i shkaktuar edhe vdekjen. Më pas Dhamo ka plagosur me kaçavidë vëllanë e tij. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, autori i krimit ka pranuar vrasjen duke i u shprehur para trupit gjykues se ishte penduar. “Nuk kam dashur ta vrisja por i kam qëlluar për vetëmbrojtje pasi me kanë sulmuar të dy. Unë kam pasur një konflikt por jo me ta. Jam zënë me dajën e tyre shtatë muaj më parë pasi unë kam dashur motrën e tyre, por ata nuk donin. Herë pas here më shanin”,- ka thënë në gjykatë i arrestuari. Sipas prokurorisë, ditën kur ndodhi krimi ata janë zënë në dasmë. Pasi kanë dalë jashtë, sherri është ndezur sërish dhe këtë herë është vënë në përdorim kaçavida. Në lidhje me këtë fakt autori i krimit ka pohuar se ai ka tentuar të ndihmojë viktimën por nuk është lejuar nga njerëzit e tjerë. Nga ana e saj, gjykata ka dëgjuar të dyja palët dhe në fund të seancës ka vendosur që t’i japë të drejtë prokurorisë dhe të caktojë masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Arben Dhamon.