Demaçi: Tani, radha e çështjes çame
Drejtuesi i njohur i luftës rezistuese në Kosovë kundër okupatorit serb, Adem Demaçi, kërkon zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes çame. Demaçi tha dje në çeljen e Javës së Kulturës çame në Tiranë se, tashmë ka ardhur radha e çështjes çame për t'u zgjidhur sa më shpejt dhe në mënyrë efikase nga pala greke. "Sot, ne kemi fatin e mirë që nuk duhet të derdhim gjak për të fituar të drejtat tona, siç u detyruam të bënim në Kosovë. Nuk duhet gjithashtu të vëmë fajin mbi popullin e sotshëm grek për atë që bënë një pjesë e paraardhësve të tyre. Por, me çdo kusht, me mjete të kohës së sotshme, duhet që të kërkojmë të drejtat tona, me mjete të cilat mbështeten nga aleatët tanë të mëdhenj europianë e përtej Atlantikut", tha Demaçi. Përpara një auditori prej qindra vetash e i përlotur, Demaçi tha se "askush më mirë se shqiptarët e Kosovës nuk mund ta kuptojë dhimbjen tuaj".