Shqipëri-Serbi, konsultimi i parë diplomatik nis në Tiranë
Shqipëria dhe Serbia zhvilluan dje konsultimet e para diplomatike. Zv.ministrja e Jashtme, Edit Harxhi dhe homologu i saj nga Beogradi, Zdravko Ponosh, u takuan në Tiranë ku theksuan se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë të një rëndësie të veçantë për të dy vendet dhe se zhvillimi i tyre pa paragjykime do të ishte një kontribut për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Jashtme, bëhet e ditur se "Pavarësisht diferencave në lidhje me çështjen e Kosovës, palët ranë dakord të ecin përpara në marrëdhëniet midis tyre në të gjitha fushat me interes reciprok. Marrëdhëniet politike së bashku me dialogun politik u vlerësuan si shumë të rëndësishme për t'i hapur rrugën zhvillimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok". Në të njëjtën kohë Shqipëria dhe Serbia mësohet të kenë rënë dakord për të intensifikuar përpjekjet respektive në nxitjen e interesit të operatorëve publikë dhe privatë për më shumë investime dhe shkëmbime tregtare. Fusha të tjera me interes për bashkëpunim u vlerësuan energjia, infrastruktura, transporti, turizmi, agrobiznesi, arsimi, shkenca, kultura dhe shëndetësia. "Palët diskutuan edhe në lidhje me perspektivën e Luginës së Preshevës si dhe mbi nxitjen e shkëmbimeve njerëzore. Janë në proces midis palëve një sërë marrëveshjesh dhe protokollesh bashkëpunimi, pjesa më e madhe e të cilave pritet të nëshkruhen së shpejti si: Marrëveshja për riatdhesimin, Marrëveshja në fushën e transportit, Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare, etj", thuhet më tej në njoftimin për mediat.