E Diel, 1 Nëntor 2026

Demagogji mbi shtetin e së drejtës

Dihet, që kriza e rëndë politike në vendin tonë ka për shkak kërkesën e opozitës për transparencë të të gjithë procesit elektoral.të vitit të kaluar, dhe mospranimin nga ana e maxhorancës për plotësimin e kësaj kërkese. Ky konflikt mund të interpretohet edhe si pjesë e një të vërtete të trishtueshme: ndonëse tashmë te ne është bërë e qartë se shteti i së drejtës konsiderohet si mjeti me anën e të të cilit sistemi i vlerave demokratike depërton te mekanizmat juridikë, shpesh ky depërtim deformohet dhe këta mekanizma ose nuk vihen plotësisht në jetë, ose interpretohen njëanshmërisht sipas interesave partiake, madje edhe personale. Sidomos, po të pushojë së qeni shtet i të drejtave themelore të njeriut, siç po provohet në vendin tonë edhe gjatë viteve të fundit, ai shndërrohet në shtet i së padrejtës (me gjithë praninë e hierarkisë së disa normave dhe të procedurave përkatëse), sepse vjen në kundërshtim me sistemin e vlerave që e kanë krijuar atë.
Pra kemi të bëjmë, me sa duket dhe sa kuptohet, me diçka që s’ka shumë lidhje thjesht me stadin e ulët të zhvillimit të demokracisë sonë, pavarësisht se nga një apo disa palë të jetës politike shqiptare deklamohet herë pas here, pas marrjes prej tyre të pushtetit, konkretizimi i koncepteve moderne në këtë fushë. Por, në të vërtetë, pushtetarët tanë as nuk përpiqen, dhe as nuk denjojnë të shtien në mendjet e tyre atë që është ngulitur prej kohësh: e drejta, përpara se të jetë një teknikë, ka vlera si etikë dhe kështu që teknika duhet t’i shërbejë etikës. Përndryshe, sigurisht që do të sundonte edhe një demagogji e rrezikshme, siç njihet demagogjia mbi shtetin e së drejtës.
***
Kjo e vërtetë e trishtueshme po del përpara kuintave edhe gjatë zhvillimit të dramës së fundit që ka zaptuar skenën tonë politike. Janë bërë të njohura prej disa muajsh rresht dyshimet dhe pretendimet e popullit opozitar rreth zhvillimit apo administrimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Mbi këtë bazë, forcat politike që e përfaqësojnë atë kërkojnë nga maxhoranca parlamentare dhe qeverisja e dalë prej saj që të bëjnë të mundur edhe ligjërisht, edhe praktikisht, transparencën e plotë të atij procesi. Duke marrë përgjigje negative, deputetët e partisë më të madhe të opozitës për gjashtë muaj rresht nuk shkelën pragun e Kuvendit. Madje, në nëntorin e kaluar, në krye të një mase të gjerë qytetarësh prej rreth 100 mijë vetash ata marshuan përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, çka ndikoi veç të tjerash, edhe për ndërkombëtarizimin serioz të problemit.
Por, përsëri përgjigjja mbeti negative, duke u thelluar kriza politike në vend. Aq sa, edhe gjatë diskutimeve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për miratimin e një Rezolute rreth kësaj çështjeje, të dërguarit e maxhorancës kuvendore shqiptare kërkuan me këmbëngulje, veç të tjerash, që situata të emërtohej në tekstin e Rezolutës thjesht si e tensionuar. Ndonëse ky pretendim ireal i tyre nuk u mor parasysh dhe gjendja u kualifikua, ashtu si në Projektin e këtij Dokumenti, me emrin e vërtetë, pra si ‘krizë politike’, në vend vijoi së vërejturi e njëjta situatë e rëndë, e ashpër, që detyroi Asamblenë Parlamentare të KiE të dërgonte në Tiranë një delegacion të nivelit të lartë për t’i dhënë impulse tryezës dialoguese midis palëve të konfliktit.
Përsëri, asgjë të re nga ajo tryezë, përderisa secila palë qëndronte në të vetën. Në konferencën e shtypit që dha përpara largimit të delegacionit nga Strasburgu kryetari i tij, vërtet që nuk u pohua nevoja e ngutshme e hapjes së kutive, por as nuk u mohua ajo, duke iu adresuar kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e kërkesës së opozitës aplikimit në Komisionin e Venecias, ashtu sikurse u rekomandua hyrja e deputetëve opozitarë në Parlament, që vlerësohet si vendi më i mirë i ballafaqimit dhe dialogimit të forcave politike përfaqësuese të sovranitetit popullor.
Pas kësaj, opozita hodhi këmbët në Kuvend dhe paraqiti dy akte ligjore për zbatimin e kërkesës së saj, duke e bërë edhe një herë të qartë, që me miratimin dhe zbatimin e tyre nuk pretendohej kurrsesi që të ndryshohej rezultati i zgjedhjeve të vjetshme dhe ndryshimi i konfigurimit të pushtetit aktual. Me këtë veprim, deputetët e Partisë Socialiste i dhanë maxhorancës parlamentare drejtpërsëdrejti një shans, një mundësi për të sheshuar konfliktin, për të zgjidhur krizën politike. Drejtpërsëdrejti, sepse kërkesa e tyre bazohet në dispozitat kushtetuese që bëjnë fjalë për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ndër më kryesoret e të cilave konsiderohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, si edhe ajo për garantimin e lirisë së informimit.
Njëherazi, opozita nuk preferon që të paraqesë ndonjë ankim në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm ngaqë kërkesa e saj për transparencë të procesit zgjedhor është plotësisht e bazuar në Ligjin tonë Themelor, por edhe se në një vendim të vitit 2003, ky organ i rishikimit kushtetues ka arsyetuar që e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit e kufizon kompetencën e shumicës për të ndryshuar këtë objekt, që objekti i një komisioni hetimor parlamentar mund të jetë i gjerë atëherë kur fjala është për një çështje të veçantë me interes të përgjithshëm ose publik etj, etj.
Dhe, megjithatë, përsëri dhe përsëri maxhoranca ia pret rrugën opozitës me të njëjtin ‘argument’, sipas të cilit nuk mund të dilet mbi një vendim gjyqësor të formës së prerë, siç është ai i Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e zgjedhjeve të vjetshme, ndonëse opozita nuk kërkon atakimin e këtij vendimi. Në gjithë këtë refuzim të prerë dhe të vazhdueshëm të zgjidhjes së krizës politike, të bën përshtypje veçanërisht ‘sensibilizimi’ i kësaj maxhorance parlamentare për respektimin e Dokumentit bazë të shtetit. Të bën përshtypje jo vetëm se gjatë afro pesë vjetëve të sundimit të saj numërohen rreth 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin si antikushtetues të akteve ligjore të miratuara vetëm me votat e maxhorancës, jo vetëm se për Kushtetutën e vitit 1998 vlerësohet si risi përmbajtja e dispozitave për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, që renditen përpara organizimit e funksionimit të vet shtetit dhe se organet e tij konsiderohen si garante të këtyre të drejtave. Ndërkohë që parimi kushtetues i ndarjes dhe balancimit të pushteteve pothuajse asnjëherë nuk është respektuar gjatë pesë viteve të fundit.
Nuk është nevoja të përmendim e të analizojmë në këto radhë një sërë shkeljesh të rënda që i janë bërë këtij parimi, që e shpërfillin atë haptazi prej kësaj maxhorance parlamentare dhe qeverisjes së saj, por le t’i hedhim një sy ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Një nga premtimet më të ndjeshme të Partisë Demokratike gjatë fushatës elektorale të vitit 2005, ishte pikërisht ekzekutimi qysh në fund të atij viti i borxheve prej mbi 6 milionë dollarë amerikanë që u detyrohej shteti ynë shtetasve të vet. çfarë ndodhi? Asgjë nuk u shlye, madje me keqqeverisjen e kësaj maxhorance ky borxh është rritur në të paktën dyfishin e tij.
***
Mund të kujtohet ajo shprehje që dëgjohet shpesh: “Kurrë nuk është vonë”, për ta shfajësuar kryetarin e Qeverisë dhe të maxhorancës parlamentare dhe për të shpresuar në bindjen e saj së fundmi te konkretizimi i koncepteve mbi shtetin e së drejtës. Tani e tutje, pra, që në vitin e parë të mandatit të dytë të saj, kjo maxhorancë paska vendosur që ta respektokërka Kushtetutën dhe parimet e saj. Mirë, por po të gërmohej disi vetëm në disa nga vendimet dhe projektligjet e saj më të fundit, zhgënjimi dhe dekurajimi, sigurisht që do të ishte i plotë.
Ndodhi para pak kohësh që Komisioni parlamentar i Ligjeve dhe Garancive Kushtetuese, pa i dhënë ende fund bojkotit grupi i deputetëve të Partisë Socialiste, të mblidhej fshehurazi, larg vëmendjes së opinionit publik dhe medias, për të paraqitur në seancë plenare për miratim amendamete të Ligjit mbi Shërbimin Informativ të Shtetit. Ky veprim nuk do të binte vërtet në sy, nëse ndryshimet e Ligjit ekzistues për funksionimin e këtij institucioni nuk do të dëmtonin së paku imazhin për një shtet demokratik, veçanërisht njëri prej tyre që bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit. është fjala për përgjimin e telefonave të deputetëve (nënkuptohet, ata të opozitës dhe kundërshtarët e tjerë të mundshëm të liderit të maxhorancës), vetëm me aprovimin e kryetarit/es së Kuvendit.
Nuk mund të jetë harruar që imuniteti i çdo deputeti është një institut i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të mandatit parlamentar. Ashtu sikurse, nuk mund të qëndrojë jashtë vëmendjes së ligjbërësit instituti i paprekshmërisë së deputetit, i cili duke përbërë një shmangie nga parimi i përgjithshëm i barazisë së shtetasve përpara ligjit, sidoqoftë zbatohet, por në mënyrë të kufizuar, për të mbrojtur deputetin ndaj ndjekjeve të frymëzuara nga motive politike dhe që synojnë të ushtrojnë presione mbi të. E pra, prandaj, paprekshmëria si tipar i qenësishëm i imunitetit parlamentar është parashikuar edhe në të gjitha kushtetutat shqiptare.
Nga zbërthimi i nenit 73 të Kushtetutës sonë në fuqi, del midis të tjerash se, paprekshmëria e deputetit mund të cenohet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, se autorizimi për këtë cenim është i domosdoshëm si për arrestimin, edhe për ndjekjen penale etj. Madje, me gjithë miratimin e amendamentit që iu bë më 1993 nenit 68 të Kushtetutës italiane nga të dyja dhomat e Parlamentit të vendit fqinj, çka u cilësua nga mediat e këtij vendi si “një masë historike”, përsëri kërkohet autorizim nga Parlamenti edhe për përgjimin e telefonave të deputetëve, sikurse për bastisjen e mjediseve dhe arrestimin e tyre.
Tjetër. Jo larg, por pikërisht më 24 shkurt, Këshilli i Ministrave aprovoi, gjithashtu, një projektligj për rregullimin e territorit, me miratimin e të cilit do t’u hiqeshin bashkive kryesore të vendit kompetenca të tjera, për t’ia kaluar ato sërish pushtetit ekzekutiv qendror. Konkretisht, sipas këtij projektligji, nenit 8 të Ligjit nr. 10119, dt. 23.04.2009 i shtohet një dispozitë me këtë përmbajtje: “Këshilli Kombëtar i Territorit është autoriteti përgjegjës, që ka kompetenca ekzekutive shqyrtimin përfundimtar të planeve zhvillimore (rregulluese/të planifikimit) të bashkive të kategorisë së parë, në territorin e vendit dhe miratimin e tyre”. Bëhet fjalë deri edhe për leje ndërtimi në oborre të shkollave, kopshteve e çerdheve.
Por, demokratizimi e racionalizimi i qeverisjes vendore, si edhe afirmimi i parimit të vetëqeverisjes lokale janë shndërruar ndër çështje më themelore të shtetit shqiptar, duke u konsakruar, garantuar e respektuar jo vetëm nga Karta Europiane e Autonomisë Lokale, por edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, çka nënkupton se heqja apo reduktimi i kompetencave të organeve të këtij pushteti nuk mund të bëhen me një heqje të lapsit nga dora e kryeministrit të vendit dhe me ngritjen e duarve të deputetëve të partisë që kryeson ai.
***
Mund të vazhdonim edhe më tej, por sa më shumë të zgjateshim, do të ushtonte një zë, që do të na këshillonte: “Mjaft më, kështu më tej nuk mund të vazhdohet!”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›