E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa shpëtimtare

Është kapitull pothuajse i panjohur i historisë së Holokaustit se deri në momentin e tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria në vitin 1944, rreth 2 mijë hebrenj kishin gjetur strehim te familjet shqiptare myslimane dhe se pothuajse të gjithë i shpëtuan gjuetisë vdekjeprurëse të nacional-socialistëve. “Besa” ishte fjala e shpëtimit, ngase “Besa” është pjesë e kodit të nderit të shqiptarëve. Nga Express më 28 janar 2011 në ora 08:56

Për Scarlett Epstein dita e 15 marsit 1938 u shndërrua në një ditë, në të cilën ajo befas u rrit dhe jeta e saj më nuk do të ishte kurrë më e tillë, siç ishte kur ajo ende ishte një vajzë e re. Epstein, e cila atëbotë ende quhej Trude Grunwald, jetonte me familjen e saj në Vjenë dhe atë të marte u dërgua tek i dërguari i Jugosllavisë.
“Vëllai im më tha: Vishu si vajzat anëtare të Federatës së vajzave gjermane. Dhe merri pasaportat me vete”, rrëfen Epstein, sot 89 vjeçare.

Ajo as që e kishte idenë se atë dhe familjen e saj e priste një aventurë e vërtetë në Ballkan, e cila përfundoi pikërisht në Shqipërinë me popullatë myslimane - për fat të saj. Ngase ishin shqiptarët myslimanë ata, të cilët ia shpëtuan jetën hebrenjes Scarlet Epstein dhe familjes së saj.

Është kapitull pothuajse i panjohur i historisë së Holokaustit se deri në momentin e tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria në vitin 1944, rreth 2 mijë hebrenj kishin gjetur strehim te familjet shqiptare myslimane dhe se pothuajse të gjithë i shpëtuan gjuetisë vdekjeprurëse të nacional-socialistëve.

“Besa” ishte fjala e shpëtimit, ngase “Besa” është pjesë e kodit të nderit të shqiptarëve. Kur dikush ofron ndihmë, të pranon në shtëpi, atëherë duhet ta mbajë premtimin për të të mbrojtur: “Shtëpia e shqiptarit i takon Zotit dhe mysafirit”.
Zhvillimet e dërrmuan me tërë fuqinë Truden 15 vjeçare gjatë ecjes së saj drejt Schwarzenbergplatz në qendër të Vjenës, që gjendej prapa përfaqësisë jugosllave.
Tri ditë më herët, Adolf Hitleri kishte shpallur aneksimin e Austrisë dhe bashkimin me atdheun gjerman.

Truda bionde u gjend në mes të turmës, e cila me emocione thurte lavde për Hitlerin. “Ishte ajo një hipnozë masive, të gjithë klithnin - edhe unë. Më pas e pyeta veten: si ke mundur të bësh një gjë të tillë? Por, ndoshta, po mos ta kisha bërë një gjë të tillë, do të më kishin vrarë menjëherë”.

Kaluan tre muaj deri në momentin kur Trude dhe nëna e saj morën vizat. Dy vëllezërit e saj më të vjetër u arratisën në Itali e më pas në Angli, ndërsa babai i saj punonte në Maribor të Sllovenisë. Ajo dhe nëna e saj arritën të shkojnë në Maribor në korrik të vitit 1938.

“Por, në Jugosllavi autoritetet ishin tejet anti-semitiste. E kishim “H-në” e madhe në pasaporta dhe me këtë dukej se fati ynë ishte vulosur”, rrëfen ajo.

Babai u burgos, nëna e saj ra në depresion të thellë dhe mendonte për vetëvrasje.

“Befas, unë isha kryesuese e familjes. Shkova nga konsullata në konsullatë, ngase dëshironin të na kthenin në Vjenë. Pra, në kamp të përqendrimit. Por, askush nuk na jepte viza, as britanikët e as amerikanët”. Deri në momentin kur dikush ia përmendi Shqipërinë, vend ky për të cilin Trude nuk kishte dëgjuar asnjëherë më parë.

Pas Natës së Kristaltë në vitin 1938, Mbreti i atëhershëm i Shqipërisë, Zogu, lëshoi 400 pasaporta për hebrenjtë, siç rrëfen i biri i tij, Leka I.

“Babai im kishte shumë miq në Vjenë, para së gjithash familjen Weitzmann. Ishin fotografë nga radhët e fisnikëve të Evropës. Një fotografi e mrekullueshme e prindërve të mi qëndronte varur në shkollat dhe të gjitha objektet publike në Shqipëri”.
Shumë gjëra mund të duken si legjenda, por është e vërtetë se Albert Einstein u arratis në vitin 1935 me një pasaportë shqiptare në SHBA, të cilën e kishte siguruar gjatë një qëndrimi të shkurtë në Mbretëri. Gjithashtu e vërtetë është se mbreti i Shqipërisë nuk ka bashkëpunuar sa i përket depërtimit të hebrenjve, as pas okupimit nga ana e italianëve në vitin 1939 e as pas pushtimit nga ana e gjermanëve në vitin 1943.

Scarlett Epsteinit i kujtohen muajt e mbushur përplot frikë në vitin 1938, sikur të kishin ndodhur dje. Nëpërmes Splitit, ajo me anije arriti në Durrës.

“Aty u vendosëm në një shtëpi në afërsi të stacionit policor, me së bashku 45 hebrenj tjerë. Më 7 prill 1939, para brigjeve të Durrësit u shfaqën anijet luftarake të Italisë dhe pritej fillimi i sulmit. Kishim frikë se Musolini do të na deportonte si dhuratë për Hitlerin”, rrëfen Epstein. Por, policët shqiptarë fshehën hebrenjtë në një podrum në qendër të qytetit. Të gjithë shpëtuan.

Shqiptarja myslimane Bahrije Boriqi është pothuajse po aq e moshuar sa edhe Trude Grunstein. Këto dy femra nuk janë takuar asnjëherë, por rrëfimet e tyre përputhen.
“Kur isha 17 vjet, në vitin 1943, babai im, Isaku, solli në shtëpinë tonë Bela Bivasin dhe vajzën e tij 14 vjeçare. Babai na tha se ishin këta të afërm tonë nga një rajon tjetër. Ai u siguroi atyre pasaporta të falsifikuara të Shqipërisë me emra myslimanë. Askush nuk duhej ta dinte se ishin hebrenj”, rrëfen ajo.

Se sa ishte i madh rreziku edhe për vetë shqiptarët, Boriqi e shpjegon me fjalë të thjeshta:”Nazistët ia kishin tërhequr vërejtjen komunitetit tonë në Shkodër se do të vriten të gjithë ata të cilët strehojnë hebrenj. Babai im ishte prefekt i qarkut dhe kur gjermanët e pyesnin për vendndodhjen e hebrenjve në Shkodër, ai përgjigjej se nuk ka dëgjuar kurrë për hebrenj që jetojnë në Shkodër”.

Kur nazistët bastisnin shtëpitë, babai i saj e fshehtë familjen e Bivasit në podrum. Që të gjithë anëtarët e familjes mbijetuan, me Rashel, e cila jeton sot në Izrael, Boriqi edhe sot e asaj dite ka kontakt.

“Pse e pranuam një familje hebrenje? Thjesht se duhej ta bënim këtë. Ishim një familje”, thotë Boriqi.

“Supozimi se religjioni ynë është më i miri dhe më i pastri, nga pikëpamja antropologjike është një mit”, shkruan Akbar Ahmed, ekspert për Islam në Universitetin Amerikan në Washington.

Shembulli i shqiptarëve është një dëshmi e një sjellje ndryshe prej tyre në dallim nga ata myslimanë, të cilët sot për fat të keq tërheqin vëmendjen e opinionit.

Qendra Yad Vashem nderon 65 shqiptarë

65 shqiptarë u nderuan dje në qendrën përkujtimore Yad Vashem në Jerusalem me titullin “Të drejtët e popujve”. U desh të kalojë një kohë e gjatë, derisa u kuptua domethënia e këtyre njerëzve, pjesërisht për shkak të faktit se Shqipëria jetoi në një izolim të plotë deri në momentin e vdekjes së diktatorit komunist, Enver Hoxha, në vitin 1985. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›