E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Ngritja 19% e TVSH-së dëmton rëndë konsumatorët'

Nga Express më 27 janar 2011 në ora 15:07

Zyrtarë të Odës Ekonomike Amerikane dhe Odës Ekonomike të Kosovës, në një konferencë për media, i kanë bërë thirrje qeverisë së ardhshme të Kosovës, që ta ketë një riorientim të prioriteteve drejtë zhvillimit ekonomik. Përfaqësuesit e dy odave kanë kërkuar që premtimet për rritje të pagave në sektorët publike, mos të vinë me ngritjen e TVSH-së prej 19 për qind, por kjo të arrihet në format tjera.

Drejtorët e dy odave, Safet Gerxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Lekë Musa, nga ajo Amerikane, gjatë një konferencë të përbashkët të mbajtur të enjten, kanë shprehur shqetësimin se ngritja prej 19 për qind, veç te biznesi do të ndikojë drejtpërdrejt te konsumatori, i cili do ta vuan këtë ngritje.

“Arsyet se pse nuk e përkrahim një ide të tillë, është fare e qartë për opinionin, se një rritje prej 19 për qind e tatimit mbi vlerën e shtuar, do të ishte një grusht ndaj shportës së konsumatorit kosovar, e cila dita ditës është më e vogël”, tha ai, siç transmeton Kosovapress.

Ndërsa Musa, i ka kërkuar qeverisë së ardhshme që të ridizajnojë prioritetet dhe ato të orientohen drejtë zhvillimit ekonomik.

“I bëjmë thirrjes qeverisë së ardhshme që të ridizajnojë prioritetet dhe ato të orientohen drejtë zhvillimit ekonomik, dhe ky zhvillim ekonomik duhet të jetë i orientuar drejtë zhvillimit të sektorit privat. Gjithashtu jemi të brengosur se premtimet për rritjen e pagave mund të kthehen në ndëshkim ndaj biznesit”, vlerësoi Musa.

Sipas ekspertëve një ridizajnim i projekteve të qeverisë duhet të fokusohet në heqjen e burokracive të identifikuara në raportin e Bankës Botërore, siç janë: shkurti i kohës për regjistrimin e biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimi i pronës, mbrojtja e investitorëve, tregtia e jashtme dhe zbatimi i kontratave.

Ata i kanë dërguar një letër Qeverisë, që të themelohet një ministri e re, e cila do të fokusohet në ekonomi, tregti dhe energjetikë, dhe politika tjera sektoriale të cilat janë të ndërlidhura me zhvillimin ekonomik.

Gjatë një takimi që zyrtaret e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave kanë pasur me biznesin e vendit, kanë paralajmëruar ngritjen e TVSH-së për 3 për qind, nga 16 në 19, e cila ide është kundërshtuar fuqishëm nga biznesi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›