E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Demat”: gol i anuluar, shtyllë dhe penallti e pa dhënë

Partizani regjistroi barazimin e dytë sezonal pa gola me Flamurtarin (i 30-ti historik), por takimi i zhvilluar të shtunën në "Qemal Stafa" (shumë pak shikues) është zhvilluar me shumë situata tensioni, kjo për shkak edhe të një penalltie të pa dhënë nga gjyqtari pogradecar Abeshi (prekje e topit me dorë), por dhe një goli të anuluar nga xhaketat e zeza.
Tashmë skuadra e trajnerit Hasan Lika edhe pse ndodhet në vendin e dytë gjendet plot 6-të pikë larg Dinamos kryesuese, që jo vetëm është shpallur me meritë kampione dimri, por dhe ka bërë një hap të madh për fitimin e titullit të saj të 17-të.
Nëntëdhjetë minutat folën tërësisht për Partizanin por "demave" kryeqytetas u ka munguar saktësia në finalizim si dhe fati. Sulmuesi i skuadrës Gjergji Muzaka goditi shtyllën në minutën e 50' duke e vënë seriozisht në rrezik portën e mbrojtur nga talenti 17-vjecar vlonjat Mocka. Rastin dytë i madh Partizani e ka pasur me anën e kapitenit të saj Ardit Beqiri, i cili ka goditur drejt portës vlonjate dhe topi i tij është ndalur nga dora e njërit prej mbrojtësve miq.
Gjyqtari i takimit Abeshi ka lejuar avantazhin duke e konsideruar të pavullnetshëm një veprim të tillë. Flamurtari mori një pikë të vlefshme në transfertë ndërkohë që Partizani realizoi barazimin e dytë radhazi pas atij me Teutën (1-1) në Durrës.
STATISTIKA: Ky ishte edhe takimi i 115-të midis dy ekipeve. Partizani ka koleksionuar 68 fitore, Flamurtari 17 të tilla dhe 30 ndeshje janë mbyllur në barazim. Golat 204-83.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›