Qarri-Hoxha, dy talente shqiptarë te Interi

Andrea Qarri dhe Fabio Hoxha janë dy talentet shqiptare që po stërviten me klubin kampion të Italisë, Interin. Lajmin e jep gazeta prestigjioze sportive "Panorama Sport". Qarri është duke marrë pjesë me Interin në Kampionatin e 12-të Ndërkombëtar që po zhvillohet në Spanjë nga data 28-29 dhjetor.
QARRI
Duke kërkuar më shumë të dhëna për talentet zbuluam se 13-vjecari Qarri (datëlindja 16 tetor 1994) aktivizohet në rolin e portierit me skuadrën Inter U-13 (Esordenti). Lajmi në faqen e Interit . Qarri stërvitet nga trajneri Masimo Giuriola dhe merr pjesë me ekipin e Interit në Kampionatin e 12-të Ndërkombëtar të rinjve të, që po zhvillohet nga data 28-29 dhjetor në Spanjë në lokalitetin Tias të provincës Lanzarote.
Në këtë minikampionat, sipas gazetës sportive spanjolle "As", marrin pjesë përvec Interit, edhe skuadrat homologe të Realit të Madridit, Barcelonës, Valencias, Espanjolit, Atletikos së Madridit, Espanjolit, Betis, Sevilja, Vilarealit (kampione në fuqi), Benfikës, Borusias së Dortmudit dhe përfaqësusja e Kamerunit U-13, të ndara këto në tre grupe. Ekipi i Interit ndodhet në grupin A së bashku me Barcelonën, Espanjolin dhe Vilarealin. Interi humbi ndeshjen e parë me Vilarealin 2-1 (takim i luajtur, më 28 dhjetor), ndërkohë që barazoi 0-0 me Barcelonën dhe fitoi 2-1 me Espanjolin. Interi siguroi kalimin në cerekfinale ku do të ndeshet sot me Atletikon e Madridit.
HOXHA
Fabio Hoxha (datëlindja 7 maj 1993) luan si sulmues me Giovanissimi Nazionali për zikaltërit, dhe sipas faqes zyrtare të Interit, inter.it, shqiptari është thirrur nga Federata Shqiptare e Futbollit për të marrë pjesë në testimet e Shqipëria U-17 në Tiranë, nga data 7-9 janar 2008.
Ja dhe lajmi në faqen e Interit. Fabio Hoxha më parë është aktivizuar me të ekipet e moshave të Piacencës, përpara se të transferohej te Interi.
TË TJERËT
Me të skuadrën U-17 të Milanit luan mbrojtësi shqiptar Andi Corri, ndërsa te Sampdoria U-17 aktivizohet portieri Deljan Bregasi dhe te Roma, Xhino Sejdo.
Skedat
ANDREA QARRI
Datëlindja: 16.10.1994
Kombësia: Shqiptare
Pozicioni: Portier
Skuadra: Inter U-13 (Esordenti)
FABIO HOXHA
Datëlindja: 07.05.1993
Kombësia: Shqiptare
Pozicioni: Sulmues
Skuadra: Inter U-17, Giovanissimi Nazionali