Dëmet e paguara nga sigurimet ende në nivele të ulëta në raport me primet

Ndërsa rritet volumi i primeve të shkruara bruto dhe kontratave pranë kompanive që operojnë në vendin tonë, shuma e dëmeve mbetet në nivele të ulëta. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në nëntëmujorin e vitit 2008 është 1,086 milionë lekë ose 6.79 % më shumë se në janar- shtator të një viti më parë.Por kjo shifër, megjithëse në dukje në rritje, në përqindje është dy herë më e vogël se vëllimi i primeve të shkruara bruto. Në periudhën janar-shtator 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 705 milionë lekë, ose 14.81% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 16.41 % krahasuar me të njëjtën periudhë. Ekspertë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare thonë se pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 866 milionë lekë, apo 79.71% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Rritja në vëllimin e primeve, shpjegojnë ekspertët, nuk u shoqërua me ritëm të ngjashëm në pagesat e dëmeve nga shoqëritë e sigurimit, duke shtuar se ky tregues është larg sjelljes së tregjeve të rajonit e Evropës. Ata thonë se duke qënë se raporti dëme/prime në nivel tregu, vazhdon të mbetet në nivele shumë të ulta, rreth 25%, janë ndërmarrë disa masa që kanë të bëjnë kryesisht me trajtimin e dëmeve, bazuar në standardet e OECD, licencimin e vlerësuesve të pavarur të dëmeve në sigurime. Në këtë drejtim, sipas ekspertëve, vëmendje e veçantë po i kushtohet trajtimit të ankesave të ndryshme, krahas detyrimit të vendosur të shoqërive të sigurimit për mbajtjen e një baze të dhënash për ankesat e konsumatorëve, e cila do të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga Autoriteti, masa të cilat pritet të sjellin efektet e tyre në përmirësimin e cilësisë së trajtimit të dëmeve dhe efektivisht në rritjen e këtij raporti. Aktualisht në vendin tonë operojnë shoqëritë anonime Insig, Sigma, Sigal, Intersig, Atlantik, Sigred, Albsig, Interalbanian, Eurosig. ...