Këshilli i Qarkut të Durrësit një promotor i bashkëpunimit për projektet e programit IPA

Këshilli i Qarkut të Durrësit në bashkëpunim me njësitë vendore dhe partnerët evropianë po përgatitet për të përfituar nga Programi IPA, i cili mbështet bashkëpunimin ndërkufitar(Cross Border Cooperation) dhe që financohet nga BE-me një shumë të përgjithshme prej rreth 300 milionë euro. Rajonet shqiptare që përfitojnë nga Programi IPA, i cili zbatohet nga viti 2007 deri në vitin 2009, janë Durrësi, Shkodra, Lezha, Tirana, Fieri dhe Vlora, ndërsa Shqipëria, vetëm për vitet 2007-2009 përfiton nga ky program rreth 14.8 milionë euro. "Zona e përzgjedhur nga Programi përbëhet nga territoret të cilat lagen nga deti Adriatik me tre shtetet anëtare të BE-së ( Itali, Greqi dhe Slloveni), një vend kandidat (Kroacia) dhe tre vende potencialisht kandidate (Shqipëri, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina). Ky program mundëson gjithashtu dhe pjesëmarrjen e Serbisë në strukturat e tij vetëm për fazën e shkëmbimit institucional, jo nëpërmjet pjesëmarrjes së saj të drejtpërdrejtë", tha kryetari i Këshillit të qarkut të Durrësit, Seid Kërtusha. Ai theksoi se "tashmë Këshilli i qarkut në funksion të objektivave strategjikë, prioriteteve dhe masave të shpallura në bashkëpunim me bashkitë e Durrësit dhe Krujës ka qartësuar përmes një konference rajonale të zhvilluar disa ditë më parë Programin IPA CBC Adriatik". Sipas Kërtushës, bashkëpunimi mes njësive vendore do të ketë si qëllim parësor përgatitjen e inciativave të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve të administratës lokale, forcimit të sistemeve kërkimore dhe shkencore, duke forcuar lidhjet ndërmjet sipërmarrjeve institucionale akademike dhe sektoreve kërkimorë dhe trajnues me sektorin publik dhe privat. "Njësitë e pushtetit vendor, institucionet akademike dhe kërkimore si Universiteti "Aleksandër Moisiu", Dhoma Rajonale e Tregtisë, Organizatat jo fitimprurëse si dhe sipërmarrjet private dhe publike janë partnerët e mundshëm në përgatitjen dhe realizimin e projekteve, që mund të përfitojnë nga Programi IPA", tha Kërtusha. Duke theksuar rëndësinë e urave të bashkëpunimit me strukturën që funksionon për Programin IPA Adriatik në Ministrinë e Integrimit, Kërtusha u shpreh se ekspertiza e institucioneve qëndrore në hartimin e projekteve dhe në bashkëpunimin në kuadër të forcimit dhe kualifikimit të kapaciteteve lokale dhe rajonale, është mjaft e rëndësishme për ne. Ai tha se përvoja e krijuar gjatë bashkëpunimit të deritanishëm me vendet kufitare si Italia kërkon evidentimin e një baze të dhënash lidhur me projektet e realizuara me sukses mes palëve; kapacitetet e kualifikuara administrative lokale dhe rajonale, si dhe potencialin e tyre ekonomik dhe njerëzor. Programi IPA Adriatik CBC në tërësi adapton një strategji, e cila synon forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar nëpërmjet inciativave të përbashkëta lokale dhe rajonale, duke i kombinuar objektivat e ndihmës së huaj me objektivat e kohezionit ekonomik dhe social.
Ky program ka ndryshime thelbësore dhe të dallueshme krahasuar me programe dhe projekte te financuara nga BE për vitet e shkuara (Interreg, Interreg IIIA Itali-Shqipëri, Cards etj). Sipas kryetarit të këshillit të qarkut të Durrësit në këtë Program, Shqipëria për herë të parë menaxhon vetë financat e projekteve të shpallura fituese. Vendi ynë për herë të parë është pjesë e trupës vendimmarrëse që shpall projektet fituese në Komitetin e Përbashkët të Monitorimit ( Joint Monitoring Committe)-tha Kërtusha. Në këtë komitet Shqipëria ka 6 përfaqësues (2 nga qeverisja qendrore dhe 4 qeverisja lokale ) ku bëjnë pjesë kryetarët e qarqeve Durrës, Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe ka gjithashtu një votë në Komitetin e monitorimit e cila bëhet akoma më e rëndësishme, sepse sipas rregullores Komiteti parashikon marrjen e vendimeve me konsensus. Kërtusha tha se në 8 vitet e fundit në rajonin e Durrësit janë implementuar dhe financuar Programi i fqinjësisë Itali-Adriatik; Programi Fqinjësisë Itali Shqipëri dhe Programi Transnacional CADSES. Porti i Durrësit, Qarku i Durrësit, Dhoma e Tregtisë, Agjencia e zhvillimit rajonal Auleda; Insituti i kërkim-peshkut dhe Insituti Rajonal i monumenteve kanë përfituar financimin e 15 projekteve, nga 85 projekte të realizuara gjithsej në shkallë vendi.
...