E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet tryeza e maxhorancës, Berisha: ”Takimi ditën në vijim”

Tryeza e paralajmëruar e maxhorancës qeverisëse për pasditen e djeshme, për të diskutuar mbi reformën zgjedhore, është anuluar. Kanë qenë ballokumet e Elbasanit, të cilat i kanë kthyer mendjen kryeministrit dhe liderit kryesor të maxhorancës, Sali Berisha, që ta shtyjë më tej këtë tryezë politike, e cila ka mbi një vit që nuk mblidhet. Kryeministri ka festuar me qytetarët e Elbasanit Ditën e Verës. Pavarësisht kësaj, Berisha është shprehur se ruan kontakt të vazhdueshëm me aleatët e tij dhe se tryeza do të bëhet në ditët në vijim. “Në radhë të parë unë nuk di të ketë mosmarrëveshje. Së dyti, natyrisht që aleatët do t’i takoj, por sot kam një axhendë që nuk ma mundëson këtë gjë. Por do t’i takoj gjatë ditëve në vazhdim. Unë jam në takime të vazhdueshme me aleatët. Theksoj se nuk ka mosmarrëveshje, por ka gjëra të diskutueshme”, - tha Berisha. Lajmin e kësaj tryeze politike e dha para dy ditësh kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili u shpreh se i kishte kërkuar kryeministrit Berisha këtë tryezë. “I kam kërkuar kryeministrit Berisha që mendimtarët e Partisë Demokratike, që mbrojnë tezën e Partisë Socialiste, të dalin dhe të na referojnë për të na treguar për sistemin, për anët e mira dhe ato që pretendojnë për sistemet qoftë edhe për rregullimet e nevojshme, ashtu si edhe ne të biem argumentet tona”, - është shprehur Mediu.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›