Dëmi i pariparueshëm mbi trashëgiminë kulturore*
Prof. Gjergj Frashëri
-Dhunimi i Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri tashmë ka arritur sipas konstatimit tim, simptomën e veprimtarisë antikombëtare. Fenomeni ka shumë rëndësi të analizohet, sepse ka të bëjë me të drejtën dhe dëshmitë për të qenë komb, apo popull, pra për ta pasur vetë veten në dorë, apo për t'ia lënë fatin të tjerëve. Në dy dekadat e fundit, dhunimi i monumenteve të kulturës dhe i pasurisë arkeologjike i ka përshkruar me energji të gjitha kategoritë kriminale; së pari, janë vjedhjet e ikonave dhe ikonostaseve nga kishat, po ashtu objektet arkeologjike nga depot e muzeumeve, deri edhe “Epitafin e Gllavinicës” nga ambientet e Muzeut Kombëtar. Së dyti, ka më se dy dekada që shteti dhe qeveritë tona s'janë në gjendje të ndalin veprimtarinë e thesar kërkuesve dhe trafikantëve, që gërmojnë në mënyrë klandestine anekënd vendit, duke nxjerrë objekte arkeologjike për t'i shitur për përfitime private. Për shembull, vetëm monedha të statusit arkeologjik të nxjerra nga nëntoka e Shqipërisë identifikohen mbi dy milion copë, të cilat kanë dalë nga kufijtë e Republikës sonë nga banori shqiptar dhe janë “shitur për pesë aspra” në “të zezë” në filatelitë evropiane, midis të cilave një numër i madh edhe në ato të Gjermanisë. Të kategorisë së tretë vijnë grabitësit, që marrin fshehtas gjetje direkt nga gërmimet arkeologjike duke iu shmangur regjistrimeve dokumentare, të cilat ndjekin të njëjtin fat, zhdukjen nga pasuria historike kombëtare...Segmenti tjetër i dëmeve ndaj trashëgimisë është shkatërrimi i veprës pa qëllime përfitimi material, siç është rasti i vandalizmit të pikturës murale në Kishën e Valshit në Shpat. Këtu hyjnë rastet e interesave politike kombëtare, apo ndërkombëtare...Për pasurinë historike, që ka Shqipëria, Monumentet e Kulturës dhe Arkeologjia janë mundësi reale të kthehen në industri të turizmit. Por monumentet e kulturës dhe veprat arkeologjike janë pasuri kombëtare dhe mbrohen vetëm nga shteti. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për funksionin dhe përdorimin e tyre. Një shoqëri e emancipuar dhe individë apo grupe të saj mund ta ndihmojnë shtetin për ruajtjen e tyre, por pa pasur asnjë të drejtë të vendosin mbi fatin dhe përdorimin e tyre, aq më tepër për çështje interesash. Ata që vendosin për këtë, nuk e kuptojnë se të përfshish monumentet dhe parqet arkeologjike në rrezen e turizmit, duhet të zgjidhësh një herë e mirë çështjen e ruajtjes (mirëmbajtjes) dhe mbrojtjes (konservimit) të tyre, që kur t'i shohë vizitori të fitojë respektin dhe sigurinë për vendin, që viziton. Fjala vjen, nëse qeveria propagandon projekte për ndërtime të reja brenda hapësirës së Akropolit të Kalasë së Lezhës, ky monument i shquar historik do të flasë kundër turizmit në veprat e trashëgimisë kulturore. Ndërtimi i qofterive brenda hapësirës së monumenteve është mungesë respekti ndaj veprës historike, kështu nuk shkohet dot më tej me turizmin. Të arrish ta bësh tërheqëse veprën e trashëgimisë kulturore te vizitori, është siguruar jo vetëm financimi për jetëgjatësinë e vet, por janë siguruar të ardhura edhe për të tjerët. Fqinjët tanë realizojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të vendit të tyre, me turizmin historik. Natyrisht kjo punë kërkon profesionistë patriotë. Por kjo punë nuk bëhet nën udhëheqjen e politikanëve të korruptuar dhe as nga “specialistë” militantë me diploma false.
*Marrë në formë të sintetizuar nga Dwelle.