E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmi nga të ardhurat dhe shpenzimet 1.5 miliardë lekë

02/10/2009  Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton në Kuvend për zbatimin e buxhetit të shtetit të viti 2008

Çeku: Shkurtoni shpenzimet operative dhe fondet për blerjen e autoveturave

Vlera e dëmeve ekonomike të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit të vitit 2008 është 1 514 749 000 lekë. Konkretisht, në fushën e të ardhurave ky dëm kap shifrën 1 149 002 000 lekë dhe në atë të shpenzimeve 365 747 000 lekë. Dëmin më të madh në fushën e të ardhurave e zë vlera nga mosarkëtimi i të ardhurave jotatimore nga kontratat e qirasë dhe ato konsecionare, 931 505 000 lekë, e ndjekur nga dëmet e shkaktuara nga shmangiet nga tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi në burim në projektet me financim të huaj, 60 580 000 lekë. Në atë të shpenzimeve dëmi prej 177 109 000 lekë është konstatuar nga shkeljet e dispozitave ligjore në fushën e shpenzimeve me pasojë dëm ekonomik në ministritë, institucionet e administratës së lartë dhe ente të tjera buxhetore. Vlera e pensioneve të paguara në kundërshtim me ligjin ka shkaktuar një dëm në buxhetin e shtetit me 68 200 000 lekë dhe 65 700 000 lekë të tjera janë shkaktuar nga shkelja e dispozitave ligjore në fushën e shpenzimeve me pasojë dëmi ekonomik në projektet me financim të huaj. Ndërkohë detyrimet debitore deri në fund të vitit 2008 kanë qenë 62 742 000 lekë. KLSH-ja paraqet për diskutim dhe gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale për gjendjen në fund të vitit 2008 të detyrimeve debitore në shumën 62 742 milionë lekë, vlerë e cila për nga madhësia dhe problematika që mbart është problem dhe shqetësim serioz për ekonominë e vendit. Kontrolli për zbatimin e buxhetit të shtetit është shtrirë në të gjitha fushat, përfshirë edhe disa sipërmarrje publike ku shteti zotëron mbi 50 për qind të aksioneve dhe në një numër subjektesh të pavarura. Në listën e kontrollit janë përfshirë gjithsej 90 subjekte, mes të cilave administrata e qeverisë, Kuvendit, KLD, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, Banka e Shqipërisë, disa ministri, ente të ndryshme si dhe njësi të qeverisjes vendore. Nga këto KLSH-ja ka konstatuar se 40 subjekte kanë bërë shkelje gjatë zbatimit të këtij buxheti, që në total kapin shifrën 271 536 000 lekë. Nga një vëzhgim i natyrës së shkeljeve pjesa dërrmuese e subjekteve kanë bërë shkelje të fushën e prokurimeve, disa në fushën e shpenzimeve operative dhe të tjerë në fushën e pagave dhe të shpërblimeve.

Shkeljet tatimore

Ndër shkeljet më kryesore të legjislacionit tatimor të konstatuar nga KLSH-ja kanë qenë shkeljet e ligjit “Për procedurat tatimore”, “Për TVSH-në” dhe “Për tatimin mbi të ardhurat”. Si rrjedhojë e këtyre shkeljeve, në të ardhurat tatimore është krijuar një efekt negativ në vlerën 44 117 mijë lekë. Këtij efekti negativ i shtohet edhe vlera e mosderdhjes së tatim-taksave në disa ministri apo ente të ndryshme në shumën 6 885 mijë lekë. Kësaj i shtohet edhe vlera prej 60 580 mijë lekë që përfaqëson shmangiet nga tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi në burim të konstatuara në disa nga projektet me financim të huaj, duke çuar totalin në 111 582 mijë lekë.

Dosjet e pensionit

Nga kontrolli me zgjedhje i 521 dosjeve të përfitimeve të pleqërisë, në 137 raste janë konstatuar të meta, mangësi dhe shkelje të dispozitave të ligjit “Për sigurimet shoqërore”, i ndryshuar. Ndërsa dëmi ekonomik shkaktuar fondeve të sigurimeve shoqërore nga fillimi i përfitimit deri më datën 30.06.2009 llogaritet në vlerën 68.2 milionë lekë. “Vlera e dëmit ekonomik në fondet e sigurimeve shoqërore mund dhe duhet të jetë më e madhe, pasi llogaritjet e KLSH-së janë bërë në bazë të pensionit të llogaritur në momentin e nxjerrjes së urdhërpagesës fillestare, pa përfshirë ndryshimet në vazhdimësi të pensioneve në rritje”, - theksohet në raport.

Kujdes me shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit 2008 paraqiten me një rritje në masën 23 % ose në vlerën 65 818 milionë lekë më tepër. Me konkretisht, nga 285 674 milionë lekë të përdorura në vitin 2007, gjatë vitit analizues 2008 janë shpenzuar 351 492 milionë lekë. Zëri “kompensim për ish-të përndjekurit politikë” paraqitet me realizim në masën 100 %, KLSH-ja mes të tjerash rekomandon uljen e shpenzimeve të personelit dhe të shpenzimeve operative. Po ashtu KLSH-ja sugjeron një rishikim të kujdesshëm të studimit të nevojave për riparimin dhe blerjen e autoveturave, përdorimin më me efektivitet të tyre.

Zbatimi i rekomandimeve

Nga dhjetë rekomandime që KLSH-ja u ka dërguar ministrive për përmirësim në llogari të zbatimit të buxhetit të shtetit për vitin 2007, rezulton se 60 për qind e tyre nuk janë zbatuar, 10 për qind do të zbatohet në vitin 2010 dhe pjesa tjetër është në proces zbatimi. Ndërkohë KLSH-ja ka bërë 10 rekomandime të tjera për zbatimin e buxhetit të vitit 2008. Duke qenë se shumica e ministrive, institucioneve dhe njësive të ndryshime të qeverisjes vendore kanë vendosur të shpërblejnë dëmin e shkaktuar nga shkelja e dispozitave ligjore, KLSH-ja propozon që 1 149 milionë lekë në fushën e të ardhurave dhe 365 7 milionë lekë në fushën e shpenzimeve të inkludohen burim në të ardhurat e buxhetit të 2009-2010.

Kontrolli i brendshëm

Problem serioz auditimi i pushtetit lokal dhe institucioneve të pavarura

KLSH-ja gjatë viti 2008 ka ushtruar kontroll vlerësues në Drejtorinë e Përgjithshme të Auditimit dhe 24 struktura të auditimit të brendshëm. Problem serioz, i cili duhet ndjekur dhe kërkon përgjegjësi, është stabilizimi i strukturave të auditimit pranë organeve të pushtetit vendor, institucioneve të pavarura dhe shoqërive tregtare aksionare e financiare me kapital mbi 50 % shtetëror. Në pushtetin vendor plani vjetor i kontrolleve nuk realizohet, madje ndryshohet shpesh gjatë vitit, duke e ulur numrin e auditiveve. Kjo edhe për shkak të organikës së paktë, që në shumë raste është vetëm një person. Raportet finale të auditimit janë përmirësuar, referuar edhe masës së lartë, 99 %, të pranimit të rekomandimeve. Vështirësi përbën realizimi i tyre, sidomos kur bëhet fjalë për masën e dëmit, e cila zë rreth 85 %. Ndërkohë shkeljet e dispozitave ligjore me pasojë dëmin ekonomik, të konstatuara dhe të evidentuara në ministritë dhe institucionet qendrore në vitin 2008, rezultojnë në shumë 4326 milionë lekë, nga të cilat 2886 milionë janë evazion fiskal, rreth 1275 milionë janë shkelje të disiplinës financiare dhe rreth 165 milionë janë mungesa dhe dëmtime. Në rastet e konstatimit të shkeljes së disiplinës financiare Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar zhdëmtim të arkës së shtetit nga auditues që nuk kërkojnë zhdëmtimin e dëmit nga institucioni përkatës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›