E Diel, 1 Nëntor 2026

Demi nuk sheh dëm

Leonard Demi

Debatet mbi reformën zgjedhore. A cenohet ftesa per anetaresim nga ashpersimi i luftes politike?

Politika shqiptare nuk mendon se marrja e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut Verior (NATO), nuk cenohet seriozisht nga debatet e ashpra rreth reformës zgjedhore. Një ndër kushtet e vëna nga aleanca vendit tonë për të përfituar në Samitin e Bukureshtit, që zhvillohet në fillim të muajit të ardhshëm, është edhe arritja e ndryshimeve në ligjin elektoral, për të mundësuar zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme. Aktualisht, partitë e vogla politike nga njëra anë dhe dy partitë e mëdha, PD-PS, nga ana tjetër, kanë ashpërsuar tonet, pasi mendojnë ndryshe rreth sistemit zgjedhor, që do të duhet të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo ka sjellë edhe mosfunksionimin prej kohësh të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. “Korrieri” kontaktoi me anëtarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, për të marrë mendime lidhur me këtë ngërç dhe nëse një gjë e tillë dëmton apo vë në rrezik marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, demokrati Leonard Demi, mendon se vendi ynë është një ndër favoritët për të marrë ftesën që të nisë bisedimet për pranimin e anëtarësimit në NATO. “Shqipëria është e angazhuar t’u shkojë deri në fund të gjitha reformave që kërkon aleanca nga ne, duke përfshirë edhe reformën zgjedhore”, ka deklaruar ai. Sipas Demit, po punohet seriozisht për të plotësuar të gjitha kërkesat. Ai thotë se nuk beson që reforma zgjedhore do të bëhet pengesë për arritjen e këtij qëllimi. Nga ana e tij, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pjesë e Komisionit të Sigurisë, Ndre Legisi, thotë se NATO-ja ka vendosur dy kushte kryesore: reformën në sistemin e drejtësisë dhe atë zgjedhore. Sipas tij, në qoftë se për reformën në drejtësi politika ka gjetur disi gjuhën e përbashkët, për reformën zgjedhore akoma nuk është gjetur mirëkuptimi. Ndikimi mbi marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, për Legisin do të varet nga vullneti i dy partive të mëdha. “Nëse ato dy parti nuk kanë vullnet për të bërë reformën zgjedhore, natyrisht që do e dëmtojnë. Nëse do të kenë vullnet ta bëjnë... Kështu që varet nga vullneti. Deri tani vullneti i dy partive mungon”, ka thënë deputeti i LSI-së. Ndërsa komisioneri republikan, Artur Hasanbelliu, shprehet i bindur se politika do të arrijë të përfundojë këtë reformë të rëndësishme. Ai kujton vështirësitë në fillimet e nisjes së reformës në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu kujton se në fillim u ngrit një komision i posaçëm dhe u emërua vetëm kryetari, por se partitë nuk patën vullnetin për të caktuar anëtarët e tjerë të komisionit dhe kështu ajo nismë dështoi. Por më pas, politika arriti përmes vullnetit të nisë këtë reformë në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. E njëjta gjë, beson republikani, do të ndodhë edhe me reformën zgjedhore. “Do të gjendet vullneti. Palët do të ulen në bisedime në mënyrë institucionale në komisionin e reformës, të cilit për hir të së vërtetës, nuk i ka munguar mandati. Besoj se do të ketë një produkt, i cili do të përbëjë pengesë për të realizuar ëndrrën tonë të madhe”, tha Hasanbelliu.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›