E Diel, 1 Nëntor 2026

I jep fund jetës me acid

Olivera Sula gjeti vdekjen, pasi konsumoi lëndën helmuese. Shkak i depresionit mendohet të jetë jeta e vështirë dhe një lidhje dashurie e marrë fund

TIRANË - Një mënyrë ekstremisht të dhunshme gjeti për t’i dhënë fund jetës një 37-vjeçare, banuese në kryeqytet. Disa gllënjka acid dhe... mbylli sytë përgjithmonë. Pasditen e datës 2 mars, 37-vjeçarja nga qyteti i Gramshit, Olivera Sula, gjeti vdekjen e menjëhershme, si pasojë e konsumimit të një sasie acidi, i cili i shkatërroi organet dhe i solli vdekjen. Hetimet paraprake të policisë çuan në konkluzionet paraprake, se shkak për vetëflijimin e gruas mund të jenë bërë problemet e një lidhjeje intime të përfunduar keq. Burime zyrtare pranë policisë së Tiranës bëjnë të ditur se rreth orës 16.00 të ditës së diel, forcat policore të Komisariatit Nr. 5 morën njoftimin se në një banesë private afër Institutit Bujqësor të Kamzës ka gjetur vdekjen një femër, si rezultat vetëhelmimi. Pasi arritën në vendin e ngjarjes, rezultoi se e vdekura ishte Olivera Sula, e datëlindjes 1971, nga qyteti i Gramshit. Viktima banonte me qira në një shtëpi në zonën e quajtur Kodër-Kamzë dhe mësohet se punonte kamariere në një lokal të zonës. Po sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se trupi është gjetur nga dy komshinjtë e saj, të cilët kanë njoftuar dhe policinë. Prej dy javësh, Sula kishte qëndruar në shtëpi, për shkak se lokali në të cilin punonte po rikonstruktohej. Ndërkohë që kohët e fundit kishte pasur edhe probleme shëndetësore. Sipas banorëve të zonës aty pranë, mësohet se ajo sillej shumë normalisht dhe se ata nuk kishin vënë re asnjë shenjë mërzitjeje apo depresioni tek 37-vjeçarja. “Pak orë para se të vdiste, ajo ka fshirë oborrin e shtëpisë dhe ka bërë punët e zakonshme”, - mësohet të kenë deklaruar komshinjtë e saj në komisariat. Ndërsa sipas grupit hetimor, edhe pse hetimet rreth shkaqeve që çuan gruan drejt vetëhelmimit nuk janë ende të konfirmuara zyrtarisht, bëhet e ditur se disa ditë më parë Sula ka pasur konflikte me personin me të cilin kishte lidhje prej disa muajsh. “Mes tyre ka pasur një sherr para disa kohësh, i cili mund të ketë sjellë edhe ndarje, fakt i cili dyshohet se çoi viktimën drejt zgjedhjes për t’i dhënë fund jetës”, - bëjnë me dije burimet. Sula jetonte vetëm në shtëpinë e marrë me qira dhe ishte beqare. Lidhja intime që kishte dhe problemet e kohëve të fundit mendohet të kenë shkaktuar tragjedinë. Policia po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se për këtë do të zbardhen të gjithë mesazhet dhe thirrjet telefonike të celularit të saj privat, për të parë ndonjë mesazh që do t’i çojë hetuesit e çështjes drejt një piste përfundimisht zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›