Demir Hyskja: Nuk dua të vdes pa luajtur një rol të fundit
Ka kohë që ditët e tij janë të zakonshme. Orët më të shumta i kalon në oborrin e një shtëpie tipike elbasanase, një kafe me shokë diku afër "Skampës" dhe pak ecje. Demir Hyskja, aktori, është në një "luftë të heshtur me moshën e shëndetin. Kjo është e përditshmja. Pjesa tjetër, e shkuara, i përket nostalgjisë. Mjafton ndonjë bisedë që të nisë rrëfimi. Fëmijëria, kapriçot, pasionet, konkursi për aktrim, sheshet e xhirimit, skena e teatrit, batuta mes kolegësh, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi... Detajet janë të pafundme. Po ashtu kujtimet. Aktorin, tashmë 72-vjeçar, e gjejmë ulur në karrigen e thurur me thupra, në hajatin para shtëpisë "demollije", tipike elbasanase. Është mbesa e vogël ajo që hap portën e që lajmëron të tjerët. Ende pa u ulur mirë, i zoti i shtëpisë e nis bisedën me një fjalë të urtë, shqiptuar elbasançe prej tij: "Miq të rinj zen, po t‘vjetrin mos e harro". Rreth e rrotull të zënë sytë një kopsht plot pemë e lule. Mbetet ende pasionant ndaj tyre. Teksa kthen një gotë limonadë të servirur nga bashkëshortja e tij (gjithçka e pi shqeto për arsye të diabetit), thotë: "Do bëjmë një pakt. Vetëm për politikë nuk do flasim". Gjatë kohës së diktaturës, aktori ka qenë për 20 vjet deputet i Kuvendit Popullor. Kujton se shkonin në atë sallë vetëm sa për të ngritur dorën, të tjerat ishin rregulluar nga lart. Para disa vitesh, pas ‘90-ës, të dyja partitë e mëdha më kanë ftuar të jem pjesë e tyre, por me shaka u jam përgjigjur: "Përderisa më ka vdekur nëna, nuk kam qejf të rri me njerkën". Prej vitit 1992, "Artisti i Popullit" ka dalë në pension. I mungon skena. Ka vite që edhe nuk ka hyrë në të, ndonëse shkon çdo ditë ulet afër teatrit "Skampa". E dëshiron shumë një rol, ndonëse ndjehet paksa i harruar. "Artisti ka një kohë që e kërkon me ngulm rolin, por vjen një ditë që roli e kërkon artistin. Nuk më ka ardhur kush që të më thotë që në këtë pjesë kam një rol të cilin mund ta luash vetëm ti". Një album fotografish i 60-vjetorit të tij të lindjes, festuar në teatrin "Skampa", natyrshëm e kthen në kujtime. Fytyrat që sheh janë ato të miqve e kolegëve me të cilët ka punuar shumë vite, kanë ndarë emocionet, ankthet, ditët e gjata të provave apo të xhirimeve. Nuk janë më të rinj. Në fytyrë u lexohen rrudhat, në kokë thinjat fisnike, ndërsa në shpirt një botë e tërë përkushtimi dhe dashurie për artin. Kujton me dhimbje largimin e një pjese të madhe të tyre, ikona të teatrit dhe filmit. Vitet e fundit mbyllën sytë njëri pas tjetrit Kadri Roshi, Sulejman Pitarka e së fundmi Viktor Gjika. Secili prej tyre mori me vete një pjesë të papërmbushur. "Nuk dua të vdes pa luajtur një rol ashtu siç dua unë. Kam ende fuqi e mundësi të jap për teatrin e për brezat që e kanë përqafuar këtë gjini", shprehet Hyskja, në këto ditë ku rreth e rrotull vlon veç fushata elektorale. Ndjen mall për teatrin dhe për filmin. "Secili zhanër ka vlerën e vet, por teatri mbetet i pazëvendësueshëm. Në film xhirohesh dhe të shohin të tjerët, në teatër je përballë publikut, gjithçka e përfton në çast dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë", pohon ai, teksa natyrshëm biseda rrjedh te fillimet e tij si aktor. Demir Hyskja nuk është nga ato raste kur aktrimi ka qenë një pasion i lindur hershëm. Pas shkollës në Elbasan, atëherë djalosh, të mesmen e vazhdon në teknikumin e Tiranës. Në këtë zanat ka punuar rreth 6-7 vjet si teknik ndërtimi. Martohet herët, por ligji e detyron të shkojë në shërbimin ushtarak. I duhej një shkollë e lartë. "Në vitin 1962 u hap dega e aktrimit. Kisha dhënë ca prova me grupet amatore dhe isha mirë. Ndaj vendosa të konkurroj në Tiranë". Kështu nis për të aventura e aktorit. Konkurron para një regjisoreje sovjetike, e cila e vlerëson dhe Hyskja pranohet për aktrim. Gjithçka dukej shumë e bukur dhe e lehtë për të vazhduar gjatë. Me gruan që sapo kishte lindur fëmijën e parë dhe me kushtet e vështira financiare të asokohe, detyrohet ta braktisë shkollën. Pas lajmit se në Elbasan do të hapej teatri, kthehet në qytetin e lindjes e fillon punë në teatër. "Kam interpretuar dhjetëra role atje. Gjatë gjithë karrierës time mund të jenë rreth 100 role në teatër dhe nja 30 në filma", kujton aktori. "Mëngjese lufte" (1971), "Kur zbardhi një ditë" (1971), "Fije që priten" (1976), "Rrugicat që kërkonin diell" (1975), "Nëntori i Dytë" (1982), "Dhe vjen një ditë" (1986) etj., janë disa nga filmat ku ka interpretuar. Por rrëfimi pashmangshëm e çon në rolin e parë. Tregimet e aktorë ndodh shpesh që të mbushen me humor për ngjarje të tilla. Pas shumë viteve karrierë, çasti që ka bërë ndryshimin nuk mund të quhet veçse i tillë. Teksa një çast heshtje ndan pyetjen me përgjigjen, aktori nis të tregojë: "Eh, ishte një rol si për lëmoshë. Pas ca provash për filmin "Ngadhënjim mbi vdekjen", që është xhiruar në Gjirokastër, më lajmëruan me telegram që të shkoja se nisnin xhirimet. Vuajta të zitë e ullirit gjersa mbërrita. Sapo i zbrita autobusit para turizmit, i pari që takova ishte artisti i madh Naim Frashëri. ‘Po ku je o mendjemadhi i Elbasanit‘, më thërret. ‘Po ti ku je o mendjemadhi i Republikës‘, iu përgjigja. Më përqafoi fort e nisëm punën po atë ditë". Biseda e shaka të tilla ka plot për t‘u treguar. Këto kujtime herë-herë bëhen edhe të dhimbshme në një kohë kur shëndeti e mosha e kufizojnë dhe e detyrojnë që më së shumti të qëndrojë në shtëpi. Gjithsesi, 40 vjetët në skenë apo në sheshxhirim i bëjnë gjithnjë shoqëri; personazhet, regjisorët, aktorët, perdja e teatrit që ngrihet e ulet pas duartrokitjesh të gjata, një cak filmi... i përtërijnë emocione të përjetshme.