E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dalin në shitje 28 qen të Shkollës së Policisë

Në fillim të muajit korrik, rreth një javë pas zgjedhjeve parlamentare, Ministria e Financave ka njoftuar zhvillimin e disa ankandeve, ku mes tyre bie në sy shitja e disa qenve, që përdoreshin nga Shkolla e Policisë. Mësohet se janë 28 qen, të racës "pastor" dhe që të gjithë kanë nga një emër. Vlera fillestare e secilit prej tyre nis nga 150 dollarë, deri në 200 dollarë. Kafshët janë marrë nga Instituti i Përgatitjes së Qenve të Policisë, Tiranë, por gjatë trajnimeve dhe provimit, 28 prej tyre nuk e kanë kaluar provën. Këto lloj kafshësh përdoren kryesisht për gjuetinë e pakove të drogës, që fshihen në vende të vështira për t‘u identifikuar, por edhe në trafikun e armëve. Për rritjen dhe stërvitjen e qenve të Policisë, shteti shpenzon miliona lekë, ndërsa një pjesë e fondeve sigurohet nga institucionet e huaja, me të cilët bashkëpunon Ministria e Brendshme. Kohë më parë, për postën policore në Doganën e Durrësit në port, u vu në shërbim të policisë një qen i specializuar për identifikimin e drogës, me ndihëm e të huajve. Çuditërisht, tri ditë pasi u vu në punë, kafsha u gjet e ngordhur, si pasojë e helmimit.

Ndërkaq, qentë e Shkollës së Policisë që do të vihen në shitje, kanë në dispozicion 30 minuta secili për zhvillimin e ankandit. Emrat e tyre janë të njëjtë si të njerëzve, duke nisur nga Sara, Viola, Klara, Tomas, e deri te Sonja dhe Bobi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›