E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bibla: (në gegërisht)

Kur kishin kaluar 30 vjet nga botimi i Dhiatës së Re shqip të Vangjel Meksit, ishin pjekur rrethanat për një përkthim të ri shqip. Më 1856, agjencia e Shoqërisë Biblike u vendos në lagjen "Bebek" të Stambollit. Aty kishte edhe mjaft shqiptarë. madje vëllezërit Frashëri më vonë aty do të banonin. Përveç Beniam Barkerit të BFBS-së (Shoqëria Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja), aty ishte edhe C. Hamlin nga misionarët amerikanë. Që të dy, në pranverë 1857, i propozuan Komitetit të Botimeve në Londër që të ndërmerrej një përkthim i ri në shqip. Interesimin e parë për të përkthyer edhe Dhiatën e Vjetër e gjejmë në letrën e Hamlinit të 17 marsit 1857: "Në përputhje me mendimin e Misionarave Amerikanë në Stamboll i propozoj Shoqërisë suaj kryerjen e kësaj pune interesante dhe të rëndësishme. Ne shpresojmë ta vazhdojmë këtë përkthim me Dhiatën e Vjetër". Punën do ta bënte Kostandin Kristoforidhi. Pasi ndoqi tre vjet mësimet në Kolegjin Protestant të Maltës, Kristoforidhi kaloi mësues në Tunis. Ngjarja që do të ndikonte më thellë në jetën e tij ishte ardhja më 1861 në krye të Agjencisë së Stambollit të BFBS-së e skocezit Aleksandër Tomson. Për t‘i dhënë një shtytje të re veprimtarisë së shoqërisë, Tomsoni vendosi të shkelte trevat e Perandorisë Osmane, që përfshinte agjencia e tij. Më 18 mars 1863 ka shkruar se po ndiente me forcë nevojën që "të bënte diçka për Shqipërinë, Hercegovinën, Bosnjën". Ky skocez do të jepte një ndihmesë të jashtëzakonshme për botimet shqip, por edhe do të na linte një dokumentim të pasur, gjë që nuk e ka pasur fat asnjë rilindës shqiptar tjetër i asaj periudhe. Kontakti i parë ndërmjet këtyre dy figurave, që do të hapnin një faqe të re në përkthimin e Biblës shqip, dëshmohet në një letër të 7 dhjetorit 1864, ndërsa një muaj më pas, Kristoforidhi i ktheu përgjigjen. Ndonëse Kristoforidhi do të merrej me Dhiatën e Re, që në hapat e parë Tomsoni ka menduar edhe për libra të Dhiatës së Vjetër: "Unë jam shumë i etur t‘u jap shqiptarëve gjithashtu Psalmet dhe Gjenezën me të dy alfabetet, grek e latin, nëse do të shihet e dëshirueshme"... Në fund të majit 1865 Kristoforidhi erdhi nga Tunisi në Stamboll. Meqë përkthimi i V. Meksit kishte qenë në variantin toskërisht, me shkronja të përshtatura prej greqishtes, Tomsoni kërkonte variantin gegërisht me shkronja të alfabetit latin sipas përshtatjes së bërë nga profesor Karl Lepsius i Berlinit. Për herë të parë në gjuhën shqipe në variantin letrar të gegërishtes u botua më 1866 përkthimi i Kristoforidhit i Katër Ungjijve dhe Punëve të Apostujve... Përhapja e përkthimeve të Kristoforidhit e kërkonte me doemos që të përgatiteshin lexuesit, të cilët do të ishin në gjendje t‘i lexonin. Kjo kërkesë e bashkuar me vetëdijen atdhetare dhe gjuhësore, e çoi atë te përgatitja e abetareve të shqipes. Pasi nxori nga duart në tetor 1869 botimin e parë të plotë të Dhiatës së Re gegërisht, Kristoforidhi erdhi në Shqipëri në pranverë 1870 për t‘u marrë me shitjen e përkthimeve dhe të abetareve të veta, si dhe për mbledhjen e leksikut të shqipes. Më 1872 u botuan në gegërisht Dhiata e Re dhe Psalmet, madje janë nxjerrë dhe në një vëllim të lidhura së bashku. Ky është botimi i fundit gegërisht, i bërë nga Kristoforidhi. Shitja e botimeve gegërisht më vonë shkoi duke rënë. Kështu u vulos edhe fati i dorëshkrimeve gegërisht të Kristoforidhit, që mbetën pa u botuar. Pas një incidenti, marrëdhëniet e BFBS-së me Kristoforidhin u ndërprenë gjatë viteve 1874-1878. Pavarësisht nga ndërlikimi i rrethanave, as që mund të përfytyrohej se Tomsoni do të hiqte dorë si nga përpjekjet në fushën e gjuhës shqipe, ashtu edhe nga ndihmesat me cilësi të shkëlqyer të Kristoforidhit. Në fillim të tetorit 1878, përsëri Tomsoni e thirri Kristoforidhin në Stamboll. Krahas të tjerave u ringjall edhe çështja e dy librave, Gjenezës dhe Eksodi: "Ne duhet të paktën të kalojmë në dialektin dhe ortografinë e toskërishtes versionin tonë gegërisht të Gjenezës dhe Eksodit, e njëkohësisht t‘i rishikojmë tërësisht për shtyp në të dy dialektet... Nëse propozimi nuk do të zbatohet, kam frikë se dorëshkrimet e Gjenezës e të Eksodit gegërisht do të mbeten pa asnjë vlerë dhe do të jetë e vështirë të gjendet ndonjë redaktor kompetent, e aq më tepër dikush që do të mund të zbatonte me përpikëri ortografinë tonë". Pas një muaji, Tomsoni u tërhoq nga botimi i variantit gegërisht në mes të muajit nëntor. "Z. Kristoforidhi si gegë që është, ka përkthyer Gjenezën dhe Eksodin në gegërisht, por ne kemi gjetur midis toskëve një fushë shumë më të përshtatshme sesa midis gegëve, prandaj del nevoja për ta pasur përkthimin të kthyer në toskërishten". Vetëm një javë më pas, vlerësimi bëhet edhe më i prerë: "Shoqëria e ka gegërisht Gjenezën dhe Eksodin, por ndërmjet kësaj pjese të popullsisë shitjet tona mund të them se janë zero". Më 1884 Kristoforidhi u kthye përfundimisht në Shqipëri dhe vdiq më 1885, pikërisht atë vit kur edhe Tomsoni e përfundoi detyrën e vet në Stamboll. Në fund të këtij vëllimi kam dhënë një fjalorth, ku me shkronja të drejta jepet fjala që ka qenë në dorëshkrim dhe është prishur, pastaj zgjidhja e re që është dhënë me shkronja të zeza. Ndërkaq, nga pikëpamja e gjuhësisë tërheqin vëmendjen ndryshimet që u ka bërë fjalëve Kristoforidhi ku ka kaluar nga ky variant gegërisht në variantin toskërisht. Tashmë janë bërë disa përkthime të Biblës shqip, por vlera e punimeve të K. Kristoforidhit mbetet si dokument historik i rrugës së përkthimeve shqip. Njëkohësisht ky është një dokument historik i gjuhës shqipe, i cili e zgjeron njohjen tonë sidomos po të mbajmë parasysh se madje edhe vetë botimet e Kristoforidhit janë tejet të rralla, nuk i gjen me lehtësi as lexuesi dhe as studiuesi, ndërkohë që janë me alfabete tashmë të papërdorshme. Ky botim me alfabetin e sotëm rivë në qarkullim trashëgiminë e çmueshme të atdhetarit, gjuhëtarit dhe përkthyesit të shquar shqiptar në periudhën e ndritshme të Rilindjes Kombëtare. Edhe përpjekjet e Shoqërisë Biblike rivlerësohen, duke dalë në dritë një dorëshkrim i ruajtur me kujdes, i cili ishte përgatitur për t‘u botuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›