Demiraj: Do të emetojmë bono në euro
Ministria e Financave njoftoi dje se ka hartuar disa plane rezervë për menaxhimin e buxhetit të shtetit për këtë vit në kushtet e dështimit në emetimin e bondeve sovrane në euro, ndërsa shprehu angazhimin të mos tejkalojë deficitin buxhetor të programuar në fillim të vitit, si dhe premtoi se huamarrja e saj nuk do të prekë sasinë e parave që shkojnë si kredi për sektorin privat.
Drejtori i përgjithshëm i Borxhit Publik, Xhentil Demiraj, iu përgjigj dyshimeve të ekspertëve, të cilët besojnë se qeveria do të detyrohet të rrisë huamarrjen në tregun e brendshëm për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga mosemetimi në kohë i bondeve sovrane në euro, të cilat u shtynë për shkak të krizës greke. Në këtë rast, ekspertët mendojnë se qeveria do të konkurrojë bizneset private dhe individët për paranë e lirë që gjendet aktualisht në tregun financiar shqiptar.
“Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm dhe në përputhje me strategjinë tonë për të rritur fleksibilitetin e huamarrjes, për të diversifikuar burimet e financimit dhe sigurimin e një pjese të tij në euro (kuptohet, pa rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat), do të shohim edhe mundësinë e emetimit të një bonoje afatshkurtër në tregun e brendshëm, të denominuar në euro”, deklaroi Demiraj dje.
Likuiditeti në sistemin bankar është përmirësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit si pasojë e rritjes së shpejtë të depozitave. Nga fillimi i këtij viti, depozitat nëpër banka janë rritur me 35 miliardë lekë.
Qeveria ka tërhequr nga tregu 14.5 miliardë lekë ose një të tretën e depozitave të reja. Por deri në fund të vitit, qeveria ka në plan të tërheqë 40 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm, gjë që i ka shtyrë bankat të mos nxitojnë me rritjen e kreditimit të sektorit privat, në pritje të rritjes së kërkesës së qeverisë për fonde.
Qeveria pati shpresuar të tërheqë 350-400 milionë euro në tregun ndërkombëtar përmes emetimit të bondeve sovrane. Por ky plan është shtyrë pa afat për shkak se interesat e tregut të bondeve u rritën ndërsa gatishmëria e investitorëve për të bërë investime të rrezikshme u reduktua.
“Në rast të emetimit të Eurobondit, për të cilin ministria po pret momentin më të përshtatshëm dhe stabilizimin e tregjeve të kapitalit, pjesa e të ardhurave prej tij që do të mbeten pas shlyerjes së kredisë sindikale të kontraktuar vitin e kaluar, mund të shkojë për të maturuar një sasi të borxhit të brendshëm afatshkurtër, pra për të zëvendësuar një pjesë të huamarrjes së brendshme me të ardhura në euro nga jashtë”, shpjegoi Demiraj.
#