E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokraci apo rregjim demokratik?


Rënia e Murit të Berlinit, bashkë me lirinë solli me vete; Globalizmin, Merkatizmin, Konsumizmin, krizën e Demokracisë në përgjithësi dhe tjetërsimin e saj. Fenomeni i fundit i dedikohet bash rënies së Komunizmit; Demokracia Perëndimore humbi "piken e referimit", të kundërtën e saj, diktaturën. Për inerci të "Kartës së Helsinkit" dhe me "lirinë e fjalës" në gojë, njeriu i burguar nën diktaturën komuniste erdhi deri këtu me iluzionin e "të qenit i lirë e në demokraci". Vendet ish komuniste, falë perëndimit, shpëtuan vërtetë nga totalitarizmi, por nuk u bënë asnjëherë shoqëri demokratike. Përkundrazi, sot rreziku i një regjimi "demokratik" është më afër se kurrë, madje në Kremlin tashmë është realitet dhe ka një emër: Putin.

Shkaqet mund të jenë shumë por katër janë në krye të listës:
- kultura e të jetuarit dhe ajo politike si vazhdim i regjimit totalitar dhe korrupsioni moral e politik i shoqërive postkomuniste që në embrion,
- lindja, rritja e fuqizimi i mafies deri në kontroll të pushtetit ekonomik dhe politik,
- kriza e demokracisë perëndimore pasuar nga kriza financiare ekonomike,
- rritja e menjëhershme ekonomike e dy superfuqive: regjimi "demokratik" postsovjetik rus, dhe regjimi në vazhdim komunisto-kapitalist kinez. Kina po i dikton Botës e Perëndimit në veçantì, taktika e strategji të reja; madje bashi perëndimor, Amerika, po "projekton të ardhmen e Botës" me Kinën komuniste - kapitaliste, (B.Obama, Qershor 2009.)

"Të drejtat e njeriut", "Karta e Helsinkit", "liria e fjalës" e "Tibeti", kanë kaluar në plan të dytë. Po si do të jetë kjo e ardhme Amerikane - Kineze?!? Le të shohim, por gjasat janë se; "...Kina do të jetë lokomotiva e revolucionit të ardhshëm industrial që nuk do të jetë revolucion i makinave e as i kompjuterëve, por revolucion gjenetik i aplikuar në prodhimet bujqësore e të modifikimit të njeriut.( G. Tremonti, Frika dhe Shpresa, 2008).

Elementët e lartpërmendur vlejnë edhe për shoqërinë shqiptare, të cilëve do tu shtoja edhe një të pestë; nivelin e ulët të zhvillimit shoqëror, i cili ndryshe nga shoqëritë e tjera të familjes evropiane ku ne duam me çdo kusht të jemi pjesëtarë, përkon, me atë të shkallës së parë, d.m.th. plotësimi i nevojave primare. Shoqëria shqiptare postkomuniste, pasardhëse e një shoqërie "të barabartësh e të barasvlershëm" e ka të vështirë të pranojë, e akoma më të zorshme të respektojë hierarkinë e vlerave.

Dhe ç'është më e keqja edhe perspektiva nuk është optimiste pasi "vlera" sot matet më shumë me parà se sa me dobinë që ajo sjell. Edhe "mjeti Lek", huajtur nga kultura post - moderne Perëndimore ku PARAJA është kthyer në PERËNDI, është një tjetër faktor që ndikon negativisht. Sot, mendohet se me parà mund të bësh çdo gjë, madje mund të bëhesh kryetar, kryeministër dhe president.

Një shembull i shkëlqyer kundër këtij modeli të mbrapsht moral e qytetar, është presidenti BARAK OBAMA, i cili, po përpiqet të rikuperojë modelin e merituar të liderit e presidentit dhe kulturën e të jetuarit; njeriu si bir i natyrës dhe jo produkt teknologjik industrial. Për të bërë këtë Baraku i Obamës, nuk sforcohet, nuk predikon as nuk shtiret, e bën natyrshëm sepse është vërtetë i ri e për një politikë të re, me formim internacional, fëmini afrikane, rini indoneziane, pjekuri amerikane e frymë evropiane, mysliman e protestant në gen, i krishterë në shpirt e laik në mendje, me program në kokë e ideal në zemër, autsider, e jo fëmijë "i llastuar" e i rritur neper zyrat e partisë e as "i rekomanduar nga i ati e shokët e babait" si shumë homologë të tij në Amerikë, Europë e Shqipëri.

Shqipëria, ndonëse me dëshirë në Amerikë e këmbë në Evropë, si ish pjesë e hemisferës lindore komuniste, dhe si trashëgimtare e totalitarizmit, është e prirë për ta përqendruar pushtetin në një dorë "të fortë". Politikanët me ambicie për lider e kryetar qeverie, harrojnë ose e injorojnë faktin se Demokracia është diçka më shumë se një formë qeverisje, ajo është kulturë të jetuari, para së gjithash është një lloj jete shoqërore eksperiencash vazhdimisht në komunikim; një mënyrë jetese që bën të nevojshme pjesëmarrjen në formimin e vlerave që rregullojnë jetën shoqërore të njerëzve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›