Opozita në protestë: të hapen kutitë e votimit
Partitë opozitare, të mbështetura edhe nga grupe të ndryshme interesi, kanë zhvilluar dje mitingun e parë për transparencën e zgjedhjeve
Me moton "Dua të shoh votën time!" Partia Socialiste dhe e gjithë opozita ka nisur dje në mbrëmje nga sheshi përballë Kryeministrisë rrugëtimin e saj nëpër Shqipëri në kërkim të zbardhjes së të vërtetës që lidhet me zgjedhjet e 28 qershorit. Mijëra qytetarë të Tiranës, por jo vetëm, i janë bashkuar zërit të opozitës për hetimin e procesit të zgjedhjeve parlamentare, duke hapur kutitë e votimit të përdorura në të. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, protestës i janë përgjigjur jo vetëm partitë aleate me Partinë Socialiste, por edhe një sërë grupesh të ndryshme interesi dhe nga shoqëria civile, siç ishin sindikata e minatorëve, ajo e pensionistëve, shoqata e viktimave të Gërdecit etj. Gjithashtu pjesë e saj janë bërë edhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim si zëvendëskryetari Pëllumb Xhufi, nënkryetari Sabit Brokaj, anëtari i kryesisë së kësaj force Ndre Legisi.
Pavarësisht oponencës që i kanë bërë qëndrimit zyrtar të partisë, tubimit në kërkim të transaparencës së votës së 28 qershorit i janë bashkuar edhe një pjesë e mirë e atyre socialistëve që kohët e fundit e kanë konsideruar veten si pjesë e Lëvizjes për Mendim Ndryshe brenda PS-së. Kështu në shesh kanë qenë Arben Malaj, Musa Ulqini, Eva Allushi, Artan Lame, por ka munguar kreu i kësaj lëvizjeje, Ben Blushi. Nën masa të larta sigurie të forcave të rendit dhe mes thirrjeve "Hapni kutitë" dhe "Ku është vota ime?!", ish-kryeministri dhe deputeti i Korçës Pandeli Majko ka hapur siparin e fjalimeve në këtë miting, duke vënë në dukje se pa u bërë transparenca e votave të shqiptarëve, Shqipëria nuk do të mund të ketë një demokraci të fortë.
"Me kutitë e mbyllura është turp të shkosh në Palament, është turp të paguhesh si politikan dhe kjo ndodh sepse kjo kuti e mbyllur nuk dëshiron të bëjë aktin më legjitim që është verifikimi i votës", - tha Majko. Më pas në tribunë janë ngjitur me rradhë qytetarë të ardhur nga rrethe të ndryshme, krerët e shoqatave dhe sindikatave si dhe drejtuesit e pesë partive opozitare, Paskal Milo i PDS-së, Skënder Gjinushi i PSD-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Erion Veliaj i G99 dhe në fund kreu socialist Edi Rama. Ndryshe nga herët e tjera policia dhe forcat e tjera të sigurisë nuk kanë nguruar të filmojnë hapur mitingun e opozitës me kamera të vendosura në tarracat e kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë? Ndërsa në kënde të ndryshme të bulevardit ishin vendosur tavolina, ku pjesëmarrësit në miting kanë firmosur projektligjin që do t'i paraqitet Kuvendit për të bërë të mundur krijimin e hapësirës së duhur ligjore për hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Thëniet:
Vangjel Dule:
"Në themel të çdo demokracie është vota, vota e lirë, pa të cilën asnjë investim nuk mund të qëndrojë, as për shtetin e së drejtës, as për ekonominë, as për aspektin social. Prandaj jemi sot të gjithë këtu, pa dallime partiake për të kërkuar që vota të respektohet, vota të numërohet, dhe mbi këtë votë të mbështetet e ardhmja e vendit, e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetarit tonë evropian"
Skënder Gjinushi:
"Të hapen kutitë e votimit që Shqipëria të bëhet një vend normal, ku vendos populli me votën e tij se kush qeveris dhe të mos vendosë Sali Gërdeci me Ilir Floririn. Qeveria aktuale nuk mbështetet mbi votën e 28 qershorit, ajo nuk legjitimohet me votën tuaj, atë mund ta legjitimojë vetëm ligji i martesave burrë-burrë. Ne jemi këtu si përfaqësues të shumicës së votës së popullit të 28 qershorit, jemi këtu në emër të 770 mijë votave të majta që kanë votuar për largimin e Sali Gërdecit dhe që pas hapjes së kutive do bëhemi 850 mijë. Disa i kundërvihen protestës sonë duke thënë, se opozita e ka vendin në Kuvend dhe ne ju themi se opozita është në Kuvend dhe jashtë ka mbetur shumica, pra keni mbetur ju. Në 28 qershor nuk u vodhën partitë por vota e popullit".
Paskal Milo:
"Jemi mbledhur për një çështje që është më e madhja dhe më themelorja për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, për votën e lirë, për mbrojtjen e saj dhe për mostjetërsimin e saj. Ky nuk duhet të ishte vetëm një tubim i qytetarëve opozitarë, por i të gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse vjedhja e votës është kthyer në një murtajë, në epidemi që e ka zënë prej gryke shoqërinë shqiptare. Ky virus rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një Kolumbi të kokainës elektorale. NATO-ja e ka më të lehtë të mbrojë nga agresioni dhe nga bombat, të të mbrojë pavarësinë dhe integritetin, por nuk mund të të mbrojë nga hajdutët e votave, nuk mund të të mbrojë lirinë e votës".
Ndre Legisi:
"Jemi këtu sot për të kërkuar ashtu siç kërkuam në vitin 2005 hapjen e kutive të votimit për t'i dhënë fund manipulimit elektoral siç ka ndodhur këto 18 vjet. Zbardhja e krimit elektoral të 28 qershorit është një domosdoshmëri historike. Ne jemi sot këtu për të mos tradhtuar ato mijëra vota të majta që u vodhën nga banditët e Sali Berishës dhe u trafikuan djathtas si rezultat i etjes për pushtet. Ne jemi sot këtu, për t'ju kujtuar të gjithë shqiptarëve se ishim të sinqertë, kur ngritëm lart parullat kundër qeverisë së Sali Gërdecit, një vit e gjysëm më parë në këtë shesh. Jemi sot sëbashku, pa dallim të majtë dhe të djathtë, jo për të ndarë copat e pushtetit, por për të mos lejuar shkeljen e dinjitetit të votuesve shqiptarë nga hajdutët historikë dhe sistematikë të votave të tyre në këto 20 vjet".
Erion Veliaj:
"Kemi ardhur për të kundërshtuar politikën e cinikëve, të cilët na thonë "mbyllni gojën e mos flisni kur ju vjedhim! Mbyllni veshët e mos dëgjoni kur ju fyejmë! Mbyllni sytë e mos shikoni kur ju hedhim në erë! Mbyllni mendjen e mos ëndërroni, se si mund të bëhej më i mirë ky vend, e së fundi - mbyllni dhe zemrën që të mos ua ndjejë për veten, për fqinjin dhe për gjithë Shqipërinë! Historia e kësaj toke na ka mësuar se lirinë gjithnjë na është dashur ta fitojmë dhe se një grusht shqiptarësh të vendosur ka ditur të reagojë në çdo kohë. E sot, një grusht i madh shqiptarësh të mirë, kthehet sërish te "Dëshmorët e Kombit" për t'i rezistuar despotëve të rinj të zgjedhjeve të pandershme. Këto ishin një palë zgjedhjeje, ku fati i 2 milionë familjeve ju nënshtrua pazarit të 2 familjeve ekonomike Berisha-Meta me moton 'të humbasin 2 milionë, që të fitojnë vetëm 2".
Pandeli Majko:
"Me kutitë e mbyllura është turp të shkosh në Parlament, është turp të paguhesh si politikan dhe kjo ndodh sepse kjo kuti e mbyllur nuk dëshiron të bëjë aktin më legjitim që është verifikimi i votës. Sot, kjo qeveri që kërkon të zhvarrosë njerëz nga më të çuditshmit që nga Zogu, Fan Noli dhe te "Nënë Tereza", nuk ka guximin që të hapi kutitë, nuk ka guxim të verifikojë votën e shqiptarëve. Nuk ka gjë më të mirë për një opozitë se sa të fillojë kauzën e saj si opozitë e vendit përmes kërkimit të një të drejte. Pa u hapur kutitë nuk do të ketë demokraci në Shqipëri, nuk ka demokraci me kuti të mbyllura".
Fiqiri Xibri:
"Në emër të të gjithë minatorëve dua të shpreh se jemi sot, nesër dhe gjithmonë një mbështetje e vendosur për çdo protestë dhe çdo nismë tjetër që do të ndërmarrë forumi për demokraci deri në ditën që do të hapen kutitë e votimit. Në fillim, Berisha më pas Nano dhe Meta e vodhën dhe e braktisën vendin tonë, prandaj ne sot protestojmë që kjo treshe të mos na mbajë më peng, duke mbajtur të fshehtë votën e shqiptarëve. Për sa kohë në damarët tanë rrjedh gjak dhe jo ujë ne do t'u themi atyre: Jo, kurrsesi jo!"
Blerta Kraja (avokate e familjarëve të viktimave të Gërdecit)
"Tragjedia e Gërdecit, një njollë e pashlyeshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë, vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë një krim i padënuar penalisht, sepse qeveria që e shkaktoi rri me zor në pushtet. Prandaj ne sot, më shumë se kurrë, jemi të vendosur për të kërkuar drejtësi për Gërdecin dhe për mijëra padrejtësi të shkaktuara nga kjo qeveri, por mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi për një të drejtë më të madhe dhe më të shenjtë që është e drejta e votës. Votat tona u votuan keq ose shumë keq, dhe kutitë u mbyllën në mënyrë hermetike, megjithëse ligji lejon hapjen e tyre. Nuk ka pengesa ligjore për t'i hapur, por kjo gjë sot refuzohet sepse në ato kuti janë votat tona që janë kundra kësaj qeverie".