E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozitë sfiduese apo akomoduese?

Nëse deri dje, Rama akuzohej direkt apo indirekt nga brenda dhe jashtë partisë për mungesë radikalizmi në qëndrimet ballafaquese me mazhorancën, sot vihet theksi thuajse te e kundërta, madje krahasohet edhe me Berishën e fillimviteve '90-të. Paradoksi shkon akoma më tej, kur arsyetohet se PS-ja ka tjetër fizionomi që e bëka atë përjashtuese ndaj liderëve të fortë dhe të njëjtët që thonë këtë, po ata i referohen ta zemë Fatos Nanos si "lider historik".

Në këtë vend ballkanik historia shpesh gjendet e kapërthyer me të tashmen dhe është e vështirë të dallosh konturet e secilës. Po të shtojmë këtu dhe "shpjegimet" për bojkotin e bojkotit, situata bëhet vërtet irracionale. Është e qartë që kundërshtarët brendapartiakë të Ramës nuk kanë këllqe për formim partie të re dhe arsyetimet se nuk mund të bëjnë opozitë jashtë Parlamentit, nuk qëndrojnë (media u ka dhënë atyre tashmë gjithëfarëlloj mundësish të hapura apo të fshehura për pasqyrim dhe argumentim të qëndrimeve të tyre).

Pra, nga formulimet e mësipërme, që vijnë nga një grup i caktuar kritizerësh, mund të shihen qartazi kundërthënie logjike që në vend që të sqarojnë opinionin publik, e ngatërrojnë më tej. Grupi i kritizerëve para së gjithash duhet të formulojë një qëndrim të qartë doktrinar, parimor dhe të argumentuar.

Duhet të sqarojë vizionin e tyre për PS-në, çfarë lloj opozite i nevojitet vendi, sipas tyre, cila ka qenë përgjegjësia e gjithsecilit në zgjedhjet e fundit parlamentare, a u manipulua rezultati i numërimit (qoftë edhe pjesërisht) apo jo, cili është qëndrimi i tyre ndaj metamorfozës së ish-liderit Nano që i ka dhënë fund asociimit me familjen e vet socialiste; nëse mendojnë se më emergjente është kristalizimi i fraksioneve se prioriteti i të bërit opozitë.

Mitingu i mbrëmshëm është domethënës. Edhe radikalizimi i protestës, për fat të keq, është e vetmja mënyrë për t'u "marrë vesh" me një si Berisha. Që Berishës mund t`i bëhet oponencë në formë kolegjialiteti kryetarucësh, kjo është një ide sa infantile, aq dhe pseudo-demokratike, pasi vjen në kohën e gabuar.

Sot, përballë një mazhorance me numra të plotë, të kryesuar nga një PD, ku të gjithë janë në rresht pas kryetarit, ku transparenca demokratike mungon dhe ku kundërshtarët përjashtohen periodikisht (deri në momentin që vijnë pas si koka të falura), është luks të kemi një opozitë të përcarë.

Kritizerët duhet ta kenë të qartë pse populli i majtë mendon se ata janë sot në marrëveshje me Berishën. Sepse pyetja që ky popull bën është e qartë: Si mund të jetë pikërisht sot opozita, e zënë më tepër me çështje të analizës karakteriale të njërit apo tjetrit, sesa me oponencën ndaj një qeverie që e ka mbushur kazanin dhe po e derdh?

Opozita sot nuk ka rrugë tjetër veçse të merret seriozisht dhe urgjentisht me ngjizjen e platformave programore të qarta dhe të besueshme për elektoratin. Strategjia për rikthimin në pushtet të marrë përparësi ndaj taktikave makiaveliane të ngritjes së strëkëmbëshave. Eksperienca e së majtës në Itali, Francë dhe gjetkë ka provuar se këto "çarje" sjellin fitore të bindshme djathtas, megjithë deficencat që mund të kenë këta të fundit.

Sot kritizerët e ndiejnë mungesën e numrave pro bojkotit, të bojkotit dhe gjithashtu nuhasin lehtë se shkëputja nga PS-ja në tentativë për të kijuar një forcë të re, nuk u garanton më shumë ardhmëri politike se precedenti i P. Kocit.

Kjo ndjesi i ka bërë shumë nga qëndrimet e këtyre kritizerëve pa këllqe, të paqarta, pa bosht ideologjik, programor apo parimor dhe pa mungesë vizioni dhe force për të bindur elektoratin rozë.

Nga ana tjetër, ngrihet pyetja se pse ky Ramë që sot konteston, dje ishte treguar bashkëpunues në shumë nga reformat kritike (që sot reklamohen si arritje të vetëm mazhorancës në fushën e integrimit evropian të vendit), përfshirë një zgjidhje zgjedhore që e hartoi PS-ja.

Kontestimi që i bëhet zhvillimit të procesit në këtë rast konkret nuk ka lidhje me të metat apo përparësitë e sistemit zgjedhor. Cilido sistem zgjedhor që do të zgjidhej, do ishte i metë, në rast se do të vazhdojë të ekzistojë vullneti për ta manipuluar sistemin, qoftë konceptimin, zbatimin, numërimin e votave apo formimin e koalicioneve të kulisave, ku parimi "mjeti justifikon qëllimin" vazhdon të ketë përparësi ndaj çdolloj principi tjetër.

Rregullat e lojës duhet të rishkruhen, të parashihen mekanizma ligjorë të qartë për të parandaluar cenime të ngjashme të transparencës, të garantohen qytetarët e këtij vendi se vota e tyre vlen dhe është e shenjtë dhe se më në fund është e mundur arritja e suksesshme e këtij tranzicioni të vonuar të klasës politike që duket se dhe në këtë rast është mbrapa pjesës tjetër të shoqërisë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›