E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Hapja e kutive, betejë për shpëtimin e demokracisë

Kreu socialist ka deklaruar dje se e drejta për të hetuar zgjedhjet është një e drejtë që nuk negociohet


Kjo është një betejë për të gjithë ata që nuk duan të sundohen e të kontrollohen në jetë dhe në punën e tyre"

Për opozitën nuk do të ketë kthim parapa nga qëllimi për të bërë transparencën e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Është kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që ka bërë të ditur dje në fjalën e tij të mbajtur në tubimin para Kryeministrisë, vendosmërinë për t'i shkuar deri në fund luftës për t'i rikthyer sipas tij, shqiptarëve të drejtën e grabitur të votës. "Sot fillon protesta jonë që nuk mbaron pa fituar të drejtën që të shohim votën tonë. Të dashur miq, që keni ardhur sot këtu, sepse besoni në një Shqipëri të shqiptarëve dhe jo të pushtetarëve!", - u shpreh Rama që në nisje të fjalës së tij, drejtuar mijëra qytetarëve që i ishin përgjigjur ftesës së PS-së për të protestuar për hapjen e kutive të votimit, duke i bërë të ditur kundërshtarëve të tij politikë, se tubimi i djeshëm ishte vetëm nisja e një stine të gjatë protestash në të gjithë Shqipërinë.

Për arritjen e këtij qëllimi, kreu socialist është shprehur i bindur se çdo gjë varet nga vullneti i qytetarëve për të mbrojtur votën e tyre dhe jo nga dëshira e kryeministrit apo pushtetarëve të tjerë. "Fati i kësaj beteje nuk është në duart e atyre që na detyruan të dalim sot këtu! Fati i kësaj beteje është në zemrat tona! Fati i kësaj beteje nuk varet nga dëshira apo vullneti i satrapit të zgjedhjeve në Shqipëri! Fati i kësaj beteje varet nga kurajoja jonë", - u shpreh Rama. Më tej në fjalën e vet, ai e ka bërë të qartë se opozita me qëndrimin e saj refuzues ndaj këtij procesi dhe këtij pushteti të dalë prej tij, ka si synim vetëm bërjen e transparencës dhe çlirimin e votës së shqiptarëve që për Ramën, në shumicën e tyre nuk votuan për këtë qeveri. E në këtë linjë qëndrimi ai ka ritheksuar edhe një herë se PS-ja nuk do të hyjë në Parlament pa u bërë e mundur më parë që shqiptarët të shohin votën e tyre.

"Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament, për t'u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të zgjedhjeve dhe, për pasojë, edhe në mbylljen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, për kushedi për sa e sa vjet të tjera", - theksoi Rama. Kjo, sipas tij, sepse në rast se do të ligjërohej një gjë e tillë Shqipëria nuk mund të ketë nesër zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe në rast se qeveria dhe pushteti do të rezistojë, duke mos pranuar të hapë kutitë e votimit atëherë Rama ka paralajmëruar se reagimi i opozitës do të fuqizohet edhe më tej.

"Në qoftë se Sali Berisha do ta mbajë forcërisht mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta hapim pambarimisht valën e protestës së popullit mbi Shqipëri, do t'i bëjmë kudo thirrje popullit të mbrojë votën e vet, do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e sovranitetit të popullit", - u shpreh kreu socialist. Mospranimi sipas tij, për të hetuar në Parlament dhunimin e zgjedhjeve, duke i dhënë opozitës të drejtën të hapë kutitë para popullit, është jo vetëm prova e frikës së madhe nga e vërteta, por edhe prova e së vërtetës së madhe që opozita do të mbrojë me çdo çmim, këtë të drejtë që sipas saj është marrë peng.

"Sot më shumë se kurrë, ne nuk mund të presim që ky palo diktator i vogël, me delirin e vjetër për pushtetin personal e me oreksin e ri për paratë e popullit, të na garantojë me dëshirën e tij liri e të drejta, për të cilat rrëzuam 20 vjet më parë monumentin e diktatorit të madh", - tha Rama duke ftuar qytetarët që bëhen avokatët e të drejtave të tyre. Më tej, ai ka shtuar se është, pikërisht, pushteti i pistë dhe aferat korruptive që e detyrojnë kryeministrin dhe ministrat e tij që të mbajnë të mbyllura kutitë e votimit, si e vetmja mundësi për të qëndruar në pushtet dhe për të mbajtur larg drejtësinë. "Sot ka vetëm një arsye që Shqipëri, të mos ketë akoma zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardeve evropiane: Arsyeja është Sali Berisha! Sepse Sali Berisha pushtetin e popullit e ka vënë në shërbim të interesit ekonomik të familjes së tij, dhe ky interes bie ndesh, si nata me ditën me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri!

Vota e popullit opozitar të majtë e të djathtë, u grabitën për të vazhduar prerjen e faturave shumë milionëshe në euro që zyra e një vajze në Tiranë pret leje të firmosur nga babai i saj, që quhet Sali Berisha", - u theksoi Rama. Një prej këtyre arsyeve, sipas tij, është edhe ngjarja e Gërdecit, e vërteta e së cilës sipas kryesocialistit është tjetërsuar edhe nëpërmjet vjedhjes së votave. "Për të gjitha këto arsye - është shprehur Rama, - beteja për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit bëhet jetike për shpëtimin e demokracisë në vend. Kjo është një betejë për të gjithë ata që nuk duan të sundohen e të kontrollohen në jetë dhe në punën e tyre nga pushteti i familjes që kërkon ta kthejë atdheun tonë të përbashkët në një skemë të mbyllur, ku vota e popullit nuk vlen më", - tha Rama, ndërsa e ka bërë të qartë se kjo çështje nuk negociohet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›