Demokracia e barazisë
Nga Jeta Katro*
Ska asgjë më të pabarabartë se trajtimi i barabartë i pabarazisë”, Aristotel
Përvojat lidhur me forcimin e statusit politik të gruas në këto 20 vjet, më kanë dhënë shumë njohuri mbi problemet e gruas shqiptare në përgjithësi dhe mbi çështje specifike në veçanti. Për më tepër, koha, gjatë këtyre viteve, për të gjitha ne, që u angazhuam në lëvizjen e gruas, që në fillimet e tranzicionit, na dha mësimet e saj. Ajo na ndihmoi të kuptojmë se proceset e ndryshimit edhe pse janë në vazhdimësi mbeten në një progres të ngadaltë. Por mbi të gjitha, koha na mësoi se fuqizimi i gruas është një proces dinamik, që nuk mund të bëhet pa ndryshimin e mendësisë së shoqërisë rreth gruas dhe rolit të saj.
Jeta tashmë qartazi ka provuar se fuqizimi i gruas është një proces i vështirë dhe se iniciativat e aksionet në këtë drejtim nuk mund të ndërmerren e realizohen vetëm nga gratë, siç është vepruar kryesisht deri më sot. Kjo mendësi ka nevojë për miratimin, mbështetjen dhe angazhimin e plotë, e theksoj të plotë të burrave. Parë nga ky kontekst, fuqizimi gjinor kërkon që si gratë ashtu dhe burrat të impenjohen njëlloj dhe se barazia gjinore, pa dyshim, përbën një ndër themelet e këtij fuqizimi.
Që të arrish barazinë gjinore do të thotë të mundësosh rishpërndarjen e madhe dhe të thellë të pushtetit, të realizosh ndryshimin me shtrirje të gjerë sociale, që hap oportunitete të reja për ndërhyrje politike, ekonomike dhe sociale. Por kjo përqasje çon drejt targetimit dhe ndërhyrjes në dominimin dhe hierarkinë mashkullore, që sështë aspak e lehtë të realizohet. Vështirësia vjen e rritet gjithnjë e më shumë në realitetet e sotme, kur jeta e përditshme dominohet nga marrëdhënie të pabarabarta dhe kontrollohet nga burrat, e kur pushteti gjithnjë e më shumë përqendrohet në më pak duar. Atëherë, vetiu lind pyetja: A janë forcat politike shqiptare, që kaq shumë flasin për ndryshime gjinore sidomos në politikë, aktorët realë të këtij ndryshimi?
Që të jenë të tilla, në mendimin tim, atyre do tu duhet të transformohen nga një lidership politik autoritar sikundër janë deri më sot, në një lidership reflektiv, që do të thotë në një lidership të hapur, me synime të qarta, që lufton dhe beson në ndryshimin që prek të gjithë; në një lidership që ka një feedback dhe program real të ndryshimit; në një lidership me politika dhe norma ku të dy palët e gjinive përfitojnë njëlloj; në një lidership, që krijon një mjedis të sigurt për të gjithë; në një lidership, që inkurajon ndjekësit e tij të përballen me sfidat e së ardhmes nëpërmjet reflektimit të përvojave të së shkuarës. Një lidership i tillë është pa dyshim dhe më koheziv.
Edhe pse politika shqiptare i referohet koncepteve të tilla, mbetem disi skeptike për ekzistencën e realiteteve të tilla në këtë vend ku demokracia vazhdon të jetë e brishtë edhe pse me një shtrirje kohore relativisht të gjatë. Programet elektorale të partive politike gjatë fushatës elektorale 2013 treguan të jenë shumë larg këtyre koncepteve dhe nuk ofruan politika e norma ku të dy gjinitë mund të përfitojnë njëlloj. Mungesa e studimeve paraprake për nevojat e të dy gjinive në rajone të ndryshme të vendit, mungesa e dallimeve esenciale të prioriteteve të zhvillimit të këtyre rajoneve lidhur dhe me nevojat gjinore, mungesa e afateve kohore për realizimin e objektivave, si dhe mungesa e prezantimit të burimeve dhe buxheteve me të cilat do të duhet të realizohen zotimet e bëra, nuk e qartësuan dhe nuk e bindën elektoratin femëror për ekzistencën e një programi real të ndryshimit, që do të kishte në themel të tij dhe çështjet gjinore. Mbase kjo dhe për shkak të mentalitetit dhe kulturës ekzistuese të politikës shqiptare, e cila deri më tash nuk ka inkurajuar dhe nuk ka asistuar mjaftueshëm zhvillimin e ideve të reja në fushën e barazisë gjinore. Në të kundërtën, ajo ka mundësuar mungesën e ndjeshme të kulturës së barazisë, të njohur si një prej elementeve kyç të proceseve të zhvillimeve demokratike.
Nëpërmjet refuzimit të të mësuarit nga dështimet e së shkuarës, kultura politike shqiptare, për fat të keq, ka inkurajuar injorimin e trajtimit të gabimeve të bëra edhe në fushën e barazisë gjinore.
Për pasojë, pabarazisë e ndarjes së pushtetit ndërmjet burrave dhe grave solli që çështjet e zhvillimit gjinor jo vetëm të injorohen, por edhe të refuzohet mundësia e korrigjimeve. Vlen të përmendet këtu mos përfshirja e një kandidateje femër në çdo treshe të listës elektorale, apo mos përfshirja e çështjeve gjinore në mënyrë reale dhe konkrete në programet elektorale të partive politike. Zgjedhjet lokale 2011 ishin tregues i qartë i panoramës politike shqiptare, që paralajmëronin ritmin e ngadaltë të zhvillimit të proceseve gjinore në spektrin politik shqiptar edhe për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Kjo, pavarësisht thirrjeve ekzaltuese të liderëve të politikës shqiptare për ndarjen e pushtetit 50/50.
Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, që kishin një përfaqësim femëror prej 16.4 % në Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjet parlamentare të 2013-ës e çuan këtë përfaqësim në 18.57 %. Kjo do të thotë që sfida e gruas shqiptare për një përfaqësim femëror më të lartë në pozicionet më të larta të legjislativit, e përkthyer në shifra, nuk kaloi dot përtej 2.17 përqindëshit. E thënë më thjeshtë, gratë do të zënë vetëm 26 të 140 vendeve të Kuvendit të Shqipërisë. Shpresoj shumë që ky të mos jetë edhe fati i vendimmarrjes së lartë të ekzekutivit, i cili tashmë është në procesin e formimit të tij. Kjo do të thotë që gratë me aftësi, integritet, inteligjencë emocionale, angazhim dhe kontribut në politikë duhet të guxojnë të luftojnë e të konkurrojnë për ta bërë veten subjekt të procesit politik. Ato duhet të hedhin një hap përpara, dhe jo vetëm për vete, por dhe për të inspiruar qindra gra dhe vajza të reja, që aspirojnë për tu angazhuar në sistemin politik. Ato duhet të kuptojnë se prezenca e më shumë grave në pushtetin politik kthehet në një afirmim të fuqishëm për fuqizimin e statusit politik të gruas. Ato duhet të kuptojnë se kanë akoma një mision të papërmbushur.
Përfaqësimi femëror minimalisht prej 30 % në vendimmarrjen më të lartë qeverisëse, edhe pse i legalizuar prej mëse 5 vitesh, sot qëndron akoma larg këtij realiteti me një përfaqësimin prej 7.1 përqind. Gratë e angazhuara në politikë duhet të kuptojnë se tashmë kanë një obligim jo vetëm ndaj vetes, por dhe grupimit që ato përfaqësojnë. Rekomandimi i Rrjetit të Grave Millennium për zëvendësimin e mandateve të lëna në Kuvend me një grua nga listat elektorale, tashmë i përfshirë edhe në Kodin Elektoral, është një instrument ligjor, që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Nëse nuk ndodh kjo, edhe pse të angazhuara në politikë, grave nuk do tu jepet mundësia për të marrë vendime edhe në të ardhmen. Në të kundërtën, ato do të jenë thjesht zbatuese të verbra të aksioneve të ndërmarra nga burrat, që do të vështirësojë reagimin e tyre ndaj qëndrimit të partive politike në raport me të drejtat e grave, siç ka ndodhur deri më sot. Kjo është një çështje sa komplekse aq dhe problemore.
Protokollet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut synojnë vendosjen e standardeve të reja në sjelljen njerëzore, por transformimet realisht nisin në nivel lokal. Zgjedhjet e dekadës së fundit në Shqipëri dëshmuan mungesë të ndjeshme të këtyre standardeve në jetën e partive politike, që nisin që nga procesi i përzgjedhjes dhe konkurrimit të kandidatëve deri tek transparenca e këtyre proceseve. Për rrjedhojë, mjaftueshëm u shfaqën në këto lista kandidatë pa ndonjë kontribut apo staturë politike e profesionale, të pa njohur, të pa rekomanduar e të pa vlerësuar nga baza e partisë. Madje në zgjedhjet e fundit ata dëshmuan të zëvendësojnë edhe profile të vlerësuar nga opinioni publik. Këta kanë qenë dhe janë ka